AlbanianSport.com 04/07/2021 15:35
ASNN – Nga 4 gjysmëfinalistet, vetëm Anglia nuk e ka fituar trofeun e vyer kontinental. Itali-Spanjë dhe Angli-Danimarkë janë dy duelet e gjysmëfinaleve të “Euro 2020”-ës, që do të luhen më 6 dhe 7 korrik. Anglia është, për çudi, e vetmja nga të 4 gjysmëfinalistet që nuk e ka fituar asnjëherë kurorën kontinentale, teksa spanjollët e kanë fituar 3 herë dhe Italia e Danimarka nga një herë. Kampionati i 16-të Evropian i Futbollit e ka shkurtuar në vetëm 4 numrin e skuadrave që kanë mbetur në garë, nga 24 që e nisën atë më 11 qershor.
Dhe më 6 dhe 7 korrik do të luhen edhe dy përballjet e gjysmëfinaleve, prej nga do të dalin dy skuadrat e fundit që do të luftojnë për trofeun e madh më 11 korrik. Natyrisht, është e një niveli historik ai midis Italisë dhe Spanjës, dy ekipeve që përballen në të 4-tin Evropian radhazi, teksa edhe bilanci është në barazpeshë, me një fitore për secilën skuadër dhe me një barazim në 3 përballjet e deritanishme. Italia ka qenë padyshim skuadra më mbresëlënëse e “Euro 2020” dhe është favorite për të rigjetur kurorën kontinentale, për herë të parë që nga 1968-ta.
Ajo ka dështuar dy herë të tjera, në vitin 2000 përballë Francës dhe 12 më pas, pikërisht përballë Spanjës. Por iberikët kanë qenë një skuadër plot dritëhije, teksa është skuadra që ka përqindjen më të lartë të kontrollit të topin në Evropianin e këtij viti, por ka vuajtur për ta shndërruar atë në gol. Përtej një fitoreje 5-0 në fazën e grupeve, skuadra e trajnerit Luis Enrike është luhatur shumë në takimet e tjera, duke treguar brishtësi, siç ndodhi në duelin e turit të 16-shes përballë Kroacisë, por edhe në çerekfinale përballë Zvicrës.
Ndërkaq, një ditë më pas, më 7 korrik, Danimarka sfidon një tjetër favorite, Anglinë, e cila, për çudi, është e vetmja nga të 4 gjysmëfinalistet që nuk e ka fituar asnjëherë kurorën kontinentale. Spanjollët e kanë fituar 3 herë dhe Italia e Danimarka nga një herë dhe ecuria këto vitet e fundit e skuadrës së drejtuar nga trajneri Gareth Sauthgejt e për më tepër fakti që, përveç duelit të çerekfinaleve, që e zhvilloi në Romë, të gjitha ndeshjet e tjera i luan në shtëpi, i ka bërë anglezët të besojnë se futbolli po kthehet me të vërtetë në shtëpi.
Anglia e vijoi në “Euro 2020”, aty ku e pati lënë në gjysmëfinalen e Botërorit 2018, duke mbizotëruar dhe duke e mbajtur madje të paprekur edhe rrjetën e saj në 5 përballjet e deritanishme. Por specialistët e kanë paralajmëruar përfaqësuesen angleze se sfida në gjysmëfinale mund të mos jetë edhe aq e lehtë sa ç’duket në letër. Fizikisht e fortë, faktikisht fleksibël dhe emocionalisht e karikuar, Danimarka janë një skuadër interesante dhe nuk do të jetë një kundërshtare edhe aq e lehtë për “3 Luanët”.
Që nga ai episod i frikshëm i ndeshjes së fillimit, kur lojtari i saj, Kristian Eriksen, luftoi me vdekjen në fushën e blertë, Danimarka ka njohur vetëm rritje në fushën e blertë gjatë gjithë këtij Evropiani. Por mitiku “Uembli” është një fushë që të imponon respekt dhe nordikët do të duhet të jenë sa më gjakftohtë për t’u përballur me Anglinë vendase.