AlbanianSport.com 15/04/2021 22:55
ASNN – Mbyllet 1-1 sfida e kthimit me Ajaksin, takimi erdhi drejtpërdrejt në RTSH 1. Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, është rikthyer të enjten me takimet e kthimit të çerekfinaleve. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë drejtpërdrejt në kanalin RTSH 1, takimin më të spikatur, Roma- Ajaks, që u mbyll në barazim 1-1. Ndërsa në kanalin RTSH Sport kanë ardhur drejtpërdrejt të gjithë golat e mbrëmjes.
Një nga duelet më të spikatura të ndeshjeve të kthimit të çerekfinaleve të veprimtarisë së dytë e klubeve të kontinentit, Ligës së Evropës, ka qenë ai që u luajt në Stadiumin Olimpik të Romës, midis skuadrës vendase dhe Ajaksit. Kjo ishte edhe ndeshja që është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 1. Pjesa e parë ka nisur me Romën më të rrezikshme në minutat e para.
Por më pas janë miqtë që marrin në dorë kontrollin e lojës, duke e synuar më tepër portën e italianëve nëpërmjet disa rasteve për të shënuar, por pa ia arritur dot të gjejë rrugën e rrjetës. Kështu, pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, por e dyta do të shohë Ajaksin ta konkretizojë këmbënguljen e tij, duke gjetur golin e epërsisë në minutën e 49-të. 7 minuta më pas, skuadra holandeze do ta dyfishjojë këtë epërsi.
Por goli i Dushan Tadiçit, i cili pati gabuar nga pika e bardhë e 11-metërshit në ndeshjen e parë, do të anulohet nga Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), për një ndërhyrje të parregullt. Dhe, siç ka ndodhur edhe në ndeshjen e parë, Roma i ndëshkon vendasit, duke barazuar shifrat në minutën e 72-të, me anë të Edin Xhekos. 18 minutat e mbetura dhe 5 minutat shtesë nuk kanë sjellë ndryshim në shifra dhe Roma e Ajaksi ndahen me një barazim 1-1, duke çuar kështu italianët në gjysmëfinale të Ligës së Evropës.