AlbanianSport.com 15/04/2021 19:10
ASNN – Vetëm 10 atletë rusë, do të jenë në gjendje të garojnë në Lojërat Olimpike të Tokios këtë verë. Të enjten, pas një vendimi të këshillit të saj, Federata Botërore e Atletikës (World Athletics), rivendosi skemën e saj të “Atletëve Neutralë të Autorizuar” (ANA), për atletët që do të përfaqësojnë Rusinë në “Tokio 2020”. Me këtë rast, atletët rusë kanë prezantuar uniformat me të cilat do të prezantohen në Lojërat Olimpike të Tokios.
“Këshilli ka vendosur të lejojë vetëm 10 atletë rusë që të garojnë si atletë neutralë në Lojërat Olimpike”, – tha Rune Andersen, kryetar i Grupit Rus të Punës. Skema e “ANA”-s lejon konkurrentët rusë, të cilët plotësojnë kritere të rrepta anti-doping për të marrë pjesë në ngjarje globale në pistë, por nën një flamur neutral dhe me veshje neutrale.
Federata Botërore e Atletikës e pezulloi përkohësisht skemën “ANA” në nëntor 2019, për shkak se Federata Ruse e Atletikës, RusAF, u përpoq të mbulonte rastin me doping të atletit të kërcimit së larti, Danil Lisenko. Atletika Botërore tha se kufiri për 10 atletë do të jetë në fuqi deri në fund të këtij viti dhe më pas do të rivlerësohet. Atletika ruse ka qenë në krizë që nga viti 2015, kur Federata e saj u pezullua për skandale të përsëritura të sponsorizuara nga shteti për doping.