AlbanianSport.com 10/04/2021 17:55
ASNN – Sharl Lëklerk tregoi talentin e tij të jashtëzakonshëm kur arriti dy fitore radhazi me “Ferrari”-n në Çmimin e Madh të Belgjikës dhe atë të Italisë në 2019-ën. Në timonin e makinës “SF90” ai bëri që tifozët e skuadrës së kuqe, të dridheshin nga emocionet, duke konfirmuar kështu bastin e madh për të ardhmen e atyre nga “Maranelo”.
Për këtë, ekipi i “Ferrari”-t, dëshironte ta kënaqte pilotin e vet, me një dhuratë shumë të veçantë. Ishte vetë Lëklerk i cili provokoi interesin e 4.3 milion ndjekësve të tij në rrjetin social “Instagram”, duke publikuar mesazhin “Diçka e veçantë sapo ka mbërritur në shtëpi”, duke shoqëruar imazhin e një automjeti të mbuluar nga një kanavacë e kuqe “Ferrari”, e ngarkuar në platformën e një vinçi.
Tri orë më vonë, enigma u zgjidh. Ai tregoi foton e një makine “SF90” me numrin 16. Vetë ekipi i “Ferrari”-t, konfirmoi më vonë se ata dëshironin që Lëklerk të gëzonte një dhuratë kaq të vlefshme. Kjo është e zakonshme për skuadrën italiane. “Ferrari” u ka dhuruar disa nga makinat e saj pilotëve të tjerë si Kimi Raikonen apo Fernando Alonso.