AlbanianSport.com 25/03/2021 23:10
ASNN – Kombëtarja kuqezi fiton 1-0 dhe merr 3 pikë, vendos goli i Lenjanit në pjesën e parë. Kombëtarja kuqezi e ka nisur të enjten në mbrëmje fushatën eliminatore të Botërorit “Katar 2022” me një fitore minimale në fushën e Andorrës. Ky takim, që ishte i vlefshëm për grupin I, erdhi drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Në vizitën që i bënë Andorrës, kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 1-0, me një gol të shkëlqyer të shënuar nga Ermir Lenjani në minutën e 41-të të takimit.
Pjesa e dytë e lojës nisi ashtu si edhe e para, me mbizotërimin total të Shqipërisë së drejtuar nga trajneri Edoardo Reja. Skuadra kontrolloi lojën dhe tentoi në shumë raste të gjejë golin e sigurisë. Në minutën e 62-të të takimit, trajneri Reja ndërhyri në formacion duke larguar Ledian Memushaj për Qazim Laçin dhe Rei Manaj për Myrto Uzunin, duke i dhënë më shumë freski mesfushës dhe sulmit. Loja vazhdoi të ishte e gjitha në gjysmëfushën e Andorrës, me kuqezinjtë që nuk rrezikuan asnjëherë në prapavijë.
Në minutën e 81-të, Ermir Lenjani dhe Sokol Cikalleshi, i lanë vendin Odise Roshit e Armando Brojës. Klaus Gjasula iu afrua golit në minutën e 89-të, me një gjuajtje të shkëlqyer nga jashtë zone, që vuri në provë reflekset e portierit kundërshtar. Minuta e fundit solli edhe rastin e fundit të ndeshjes, me Keidi Baren që kërkoi golin e dytë, me një goditje me takë. Gjithçka u mbyll me rezultatin 1-0, me kuqezinjtë që e nisin me fitore këtë rrugëtim drejt kualifikimit për Botërorin “Katar 2022”.
Të dielën, më 28 mars, Shqipëria do të luajë ndeshjen e dytë eliminatore, atë ndaj Anglisë, në Stadiumin “Arena Kombëtare”, ndërsa më 31 mars 2021, kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt San Marinos.