FSHF / Presidenti Duka “rrëfehet” në nisje të Eliminatoreve të Botërorit

Share Button

AlbanianSport.com 25/03/2021 19:25

ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka qenë i ftuar në emisionin “Sport News” në televizionin informativ “News 24”. Në një intervistë të gjatë me moderatoren Enxhi Biba, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar ka prekur tematika të ndryshme.

Presidenti Duka foli për objektivat e   Kombëtares shqiptare në kuadër të nisjes së edicionit së eliminatoreve për misionin “Katar 2022”, si dhe u shpreh se është e rëndësishme për ekipin të fokusohet dhe ta nisë mbarë  ndeshjen e parë ndeshjen e parë që Kombëtatarja do të zhvillojë ndaj Andorrës në fushë të huaj më 25 mars.

Gjithashtu, presidenti i FSHF-së u shpreh se stadiumi është gati për ndeshjen me Anglinë, më 28 mars, ndërsa foli edhe për tifozët, duke theksuar se prania e 30% tifozëve do i bënte mirë qoftë Kombëtares, por edhe vetë publikut, duke pasur parasysh periudhën e vështirë të shkaktuar nga epidemia.

Presidenti Duka komentoi edhe këtë edicion të kampionatit shqiptar si dhe për kërkesat e futbollit, sipas tij, ende të paplotësuara nga qeveria shqiptare. AlbanianSport.com jua sjell të plotë këtë intervistë të kreut të organizmit që qeveris futbollin në vend.

 

– President jemi përpara një rugëtimi të rëndësishëm, Shqipëria nis zyrtarisht aventurën eliminatore të Botërorit “Katar 2022”. A ekziston nje objektiv konkret? Për cfarë luan Shqipëria në këtë grup?

– Ky është një nga kompeticionet më të rëndësishëm, eliminatoret për Botërorin. Ne kemi provuar dhe kemi arritur t´ia dalim për eliminatoret e Evropianit, por kurrë nuk ia kemi dalë për një Botëror. Është një veprimtari akoma më i vështirë duke pasur parasysh që kualifikohen vetëm 13 skuadra dhe jo 24 si në Evropian. Sidoqoftë, kundërshtarët padyshim, tashmë ne i dimë, janë të fortë, ndeshjet janë të gjitha të rëndësishme aq më tepër që ka dhe specifikat e veta sepse i luajmë ndeshjet në këtë kohë epidemie me intensitet akoma më të madh, 3 ndeshje në çdo fazë, apo çdo 10 ditë, por, prapëseprapë, jemi të përgatitur për të bërë më të mirën duke qenë të ndërgjegjshëm për çfarë kemi përballë. Por ajo që Shqipëria duhet të tentojë dhe mund të arrijë realisht është një vend i tretë në grup. Kjo nuk do të thotë që ne nuk luajmë për të fituar apo për t’u kualifikuar, çdo gjë ndodh dhe ne do t’i provojmë të gjitha. Skuadra është e mirë, fatmirësisht lojtarët janë pothujse të gjithë të aktivizuar në skuadrat e tyre, kanë goxha minuta nëpër këmbë, sidoqoftë janë eliminatore pak specifike krahasimisht me të tjerat, të paktën do fillohet të luhet pa spektatorë dhe te shohim më vonë. Të shohim gjithashtu si do përshtaten skuadrat përfaqësuese pa spektatorë tashmë, nëse ne do përdshtatemi më mirë se të tjerat.

 

– Ndërkohë Kombëtarja ka në përbërje elementë shumë cilësorë, janë futbollistë që luajnë në nivele shumë të larta Hysaj, Kumbulla, Gjimshiti. Kjo e shton akoma më shumë le të themi atë presionin për t’u kualifikuar?

– Ndeshjet që kanë presion të vërtetë janë ndeshje si kjo e para me Andorrën, ku ekipi duhet të ndërtojë, duhet të fitojë dhe në një farë mënyrë nuk i falet humbja apo barazimi. Ndërsa në ndeshje të tjera kundër një kundërshtari si Anglia, motivimi i skuadrës është akoma më i lehtë. Niveli profesional pikërisht për këtë është, që të dinë të vlerësojnë këto skuadra që rëndom tifozët i quajnë të lehta, të vogla, por nuk ka skuadra të vogla. Skuadra të vogla ka pas 90-minutëshit, kush do t’i fitojë ato është më i madh. Kështu që ne kemi treguar që mund të bëjmë mirë kundër skuadrave të mëdha sic kemi treguar që kemi bërë dhe keq në të kaluarën. Duhet ta mbajmë mend eksperiencën negative që kemi kundër Andorrës në “Elbasan Arena” në 2019-ën dhe nuk duhet të gabojmë tani, ta fillojmë mbarë, kjo është shumë e rëndësishme, ta fillojmë mbarë dhe pastaj t’i shohim ndeshjet një nga një.

 

– Edhe pse do t’i shohim ndeshjet një nga një, duket sikur vëmendja është spostuar shumë te sfida kundër Anglisë, e cila sigurisht shërben dhe si një vitrinë për lojtarët, ku tregohet edhe imazhi i FSHF-së…

– Vëmendja e opinionit normal që shkon në skuadrat e mëdha. Të vizitojë Anglia, Shqipërinë nuk është një gjë që ndodh cdo vit. Kuptohet që është një skuadër e madhe, me emra të mëdhenj në përbërje dhe opinioni e pret me padurim, do ishte shumë mirë që ta priste me spektatorë në “Arenën Kombëtare”, por, për profesionistët, për futbollistët, për stafin duhet të jetë e rëndësishme ndeshja e parë kundër Andorrës dhe të vlerësojmë maksimalisht atë. Nuk është e lehtë të motivosh një skuadër në ndeshje të tilla ku opinioni mendon se janë ndeshje te lehta. Edhe një herë përsëris, nuk ka ndeshje të lehta. Ndeshja e lehtë është pasi ta realizosh apo pasi të arrish objektivin dhe ta fitosh atë. Pastaj të mendojmë për Anglinë. Siç thashë është event i rëndësishëm, është ndeshje që e kemi luajtur me Anglinë 20 vjet më parë në Tiranë, pas 20 vjetësh do të luajmë përsëri dhe do të bëjmë më të mirën. Jam shumë i sigurt që futbollistët e vlerësojnë, mbase mund të jetë problem për Anglinë motivimi i skuadrës kundër një skuadre si Shqipëria dhe jo për ne.

 

– A do të jetë gati Stadiumi “Arena Kombëtare” për ndeshjen me Anglinë? Flas për tapetin, dimë gjithashtu që stadiumi është shndërruar në një qendër vaksinimi këtë periudhe. Është po ashtu shqetësimi i UEFA-s për baret e stadiumit.

– Nuk kemi asnjë pengesë për organizimin e ndeshjes. Padyshim që kanë ekzistuar këto probleme që ju renditët, por ne kemi punuar shumë gatë gjithë kësaj periudhe që tapeti të përmirësohet në nivelin maksimal, për të qenë i gatshëm për ta përballuar këtë ndeshje. Duket që është në parametra të mirë sepse bëhen teste cdo ditë dhe nuk do të kemi probleme. Ndërsa për sa i përket problemeve të tjera, nuk do të na pengojnë sepse siç ju e dini ndeshja është pa spektatorë dhe nuk na pengojnë as karriget e bareve rreth e rrotull sepse spektatorë nuk do të ketë. As tendat e vaksinimit nuk na pengojnë.

 

– Meqënëse dolëm tek spektatorët, pse ky refuzim nga ana e Komitetit Teknik të Ekspertëvë për të mos pasur 30% të stadiumit me tifozë, sepse në fakt e dimë dhe e mendojmë që baret do të mbushen me tifozë?

– Unë edhe vetë jam i dyzuar në mendimet e mia apo përshtypjet e mia se si duhet të vepronte Komiteti Teknik për këtë cështje. Duke menduar që shëndeti është i pari dhe duhet të ruajmë shëndetin e njerëzve, teorikisht themi që e bëri shumë mirë, duke parë dhe nivelin në rritje të shpërndarjes së infeksionit në Shqipëri. Por, duke parë realisht sjelljen shqiptare, duke parë këtë që thatë ju, që baret mbushen plot jo vetëm për të parë ndeshjen por edhe jashtë ndeshjes, do të ishte logjike një lejim i kushtëzuar apo i numrit të kufizuar të spektatorëve në stadium. Kur ne shohim në jetën e përditshme shqiptare që ka njerëz në bare plot, që mbase nuk duhet të ketë, qe ka njerëz në restorante plot, që mbase nuk duhet të ketë. Fakti është që janë, apo që ditën e ndeshjes do jenë bashkë në distanca më të afërta me njëri-tjetrin. Pse jo të ishte të paktën në cdo tre sedilje një spektator. Do ishte mirë për skuadrën sepse do ta mbështeste, do të ishte mirë për vetë spektatorët sepse kemi kaluar një periudhë shumë të vështirë dhe po  kalojmë një periudhë të vështirë pa aktivitete sociale dhe do të bënte një lloj rikthimi në jetë dhe edhe vetë spektatorët që do ta ndiqnin. Siç e thashë nuk është se e kanë shpesh këtë mundësi, vjen njëherë ne 20 vjet apo me pak. Megjithatë ka ditë, ka ditë për të reflektuar.

 

–  Keni pasur komunikim me kryeministrin Rama?

– Padyshim. I kemi kërkuar, qeveria është skeptike ose e ndrydhur për faktin që thashë që rastet janë shtuar dhe nuk do që të bëhet shkas për shtimin e mëtejshëm të tyre. Por siç e thashë, duke parë sjelljen e gjithë popullit shqiptar në këto mjedise jo të domosdoshme si kafe dhe bare, pse jo, mund të ishin edhe në stadium. Të paktën 2,000 spektatorë, të paktën një pjesë e tyre le të ishin.

 

– Të rikthehemi te futbolli i përditshëm. Një sezon që nisi le të themi në limite për shkak të bojkotit. Ia ka vlejtur deri më tani? Mund të pyesim se në ç’pikë janë negociatat?

– Ne jemi vendi i fundit në Evropë sa i përket financimeve në sport. Edhe po të shohim grantin që jep qeveria për sportin, megjithëse u premtua në 2020 që do jetë një grant disa herë më i madh, përsëri është i njëjtë. Është afërsisht 1 milionë e 70 mijë Euro dhe për vitin 2021, i ndarë në disa federata, madje dhe në disa anonime dhe çuditërisht për Federatën e Futbollit apo klubet e futbollit është zero, pa asnjë lloj justifikimi, megjithëse në njëlloj mënyre nuk ishtë dhe serioze Ministria e Arsimit në këtë proces, sepse kërkoi që të aplikonim, aplikuam. Të paktën të mos thonin që të aplikonim dhe të bënim një sërë dokumentash të mëdha dhe nuk patëm asnjë përgjigje. Pse jo Federata e Futbollit? Nuk patëm asnjë ndryshim nga ato që ne kërkuam, ndryshimin e ligjit për sponsorizimin, apo për të krijuar një fond për sportin, jo vetëm për futbollin por për sportin në përgjithësi. Por, sidoqoftë, kjo gjë u ndërpre. Qe një premtim që do realizoheshin të paktën tre nga ato pika që ne kërkuam brenda 31 dhjetorit. Nuk u realizuan, tashmë dihet, Shqipëria është përfshirë nga fushata elektorale dhe nuk mundet praktikisht që të ketë ndryshime ligjore. Presim çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve. Le të presim që qeveria e re që do të dalë pas zgjedhjeve të ketë një vëmendje të shtuar për sportin dhe të krijojë të paktën një institucion të dedikuar për sportin sepse nuk mund të ketë sport pa një lloj strategjie shtetërore. Nuk mund të ketë sport pa një vëmendje shtetërore, jo vetëm në futboll por në të gjitha sportet e tjera. Kuptohet që futbolli kryesisht sepse ka numër sportistësh shumë më të madh se të gjitha sportet e tjera bashkë.

 

– Ndërkohë, mbetemi te futbolli i luajtur. Ka qenë ky një sezon i çuditshëm edhe për shkak të kushteve të pandemisë, por ama ka pasur edhe surpriza në fushë. Nëse të gjithë prisnim një dominim të kampioneve në fuqi, të Tiranës, kemi tani Vllazninë në krye, për të cilën ju bëni tifo.

– Edicioni ka këtë veçorinë e vet, luhet në kushte jo normale, në kushte të pazakonta sepse luhet nën rregullat e një protokolli strikt. Nuk është shumë komode për sportistin që të shkojë në stadium me maskë, apo të shkojë në dhomën e zhveshjes me maskë. Ajo jeta sociale e futbollistëve është e kufizuar. Stërvitja e tyre gjithashtu. Prania e spektatorëve e penalizon shumë. Pikërisht në momentin kur ne filluam të kemi një jetë ndryshe me spektatorët, në atë stadium të ri që filloi të mbushej, sidomos në derbi apo në ndeshjet e tjera të Partizanit apo Tiranës dhe filloi të kthente një atmosferë më të bukur, pikërisht në atë kohë u ndërpre dhe spektatori e penalizon. E penalizon sepse është ndryshe motivimi  i një futbollisti në një stadium qoftë edhe me 2,000 spektatorë, sesa në një stadium bosh në të cilin, futbollistët dëgjojnë zërin e njëri-tjetrit. Nuk është shumë motivuese. Por, sidoqoftë, në këto kushte, kampionati për mendimin tim ka qenë i bukur, ka garë. Askush nuk mund të kuptojë dhe parashikojë se kush do të jetë kampioni i këtij viti. Ka pasur një shkëputje në dy fazat e para të Vllaznisë, deri në një diferencë prej 9 pikësh. Por edhe Tirana tashmë është afruar dhe është futur në lojë me një diferencë 8 pikë nga kryesuesja dhe kemi një garë, qoftë lart, qoftë poshtë goxha të mirë. Edhe niveli sportiv, në opinionin tim ka qenë më i mirë sesa i pritshmi, në kushtet e pandemisë.

 

– Ndërkohë, përveç epidemisë, një tjetër problematikë nëse mund ta quajmë kanë qenë akuzat për gjyqtarët. Ka pasur nga klubet akuza të drejtëpërdrejta për njëanshmëri të gjyqtarëve. Si e keni parë këtë?

– E kam parë në zhvillim çdo gjë, por në këtë situatë pandemie dhe të jashtëzakonshme nuk mund të pretendojmë për hapa të mëdhenj përpara. Nëse do të ruajmë të njëjtat nivele dhe të mos biem nga niveli themi sportiv dhe pjesë e nivelit sportiv, janë të gjithë aktorët e lojës, futbollistë, trajnerë, gjyqtarë, etj. Kështu që nëse do ta ruajmë nivelin është mirë. Dhe nivelin e gjykimit, dhe nivelin e lojës, futbollistëve etj. Pa dyshim që gjykimi është një nga komponentët e rëndësishëm të lojës, sepse jep drejtësi në fushën e lojës. Pa dyshim që ka gabime, ka pasur, ka dhe do të ketë. Edhe shpresa që nëse do të ketë një sistem “VAR”, gjykimi do të jetë si në lojërat elektronike, është e gabuar sepse do të ketë gjithmonë  gabime. Është lojë dhe gjyqtarët janë pjesë e lojës. Janë lojtarë në të njëjtën mënyrë, madje me më shumë përgjegjësi. E rëndësishme është që niveli i lojës, niveli i garës, domethënë, gjykimi mos ta pengojë zhvillimin e saj por të jetë në të njëjtat nivele. Nëse do të flasim jo vetëm për këtë kampionat, por pa dyshim edhe për këtë kampionat, çdo skuadër ka atë pozicion në tabelë që meriton me atë që ka kontribuar në fushë.

Artikuj të tjerëFaqja Kryesore

Basketboll – Meshkuj / Mbyllet java e 29-të, Real Madrid nuk lëshon pé

Basketboll – Meshkuj / Mbyllet java e 29-të, Real Madrid nuk lëshon pé

AlbanianSport.com 15/03/2024 23:05 ASNN – Veprimtaria më prestigjioze kontinentale e klubeve në basketboll

FSHF / Seminari i së Drejtës Sportive, Duka: Futbolli, një fenomen global

FSHF / Seminari i së Drejtës Sportive, Duka: Futbolli, një fenomen global

AlbanianSport.com 15/03/2024 22:10 ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) organizon Seminarin

Luhen 3 takime të javës së 12-të, ai i 4-ti, Tirana-Partizani, më 20 mars

Luhen 3 takime të javës së 12-të, ai i 4-ti, Tirana-Partizani, më 20 mars

AlbanianSport.com 15/03/2024 21:15 ASNN – Vllaznia e Erzeni fitore me shije “play-off”-i, Studenti

Nën-16-vjeçaret / “UEFA Development”, Shqipëria e mbyll me 3 humbje

Nën-16-vjeçaret / “UEFA Development”, Shqipëria e mbyll me 3 humbje

AlbanianSport.com 15/03/2024 20:20 ASNN – Shqipëria e Nën-16-vjeçare në futboll për femra ka luajtur

Mbyllet java e 17-të, Besëlidhja nuk ndalet, ka luftë për vendin e 4-t

Mbyllet java e 17-të, Besëlidhja nuk ndalet, ka luftë për vendin e 4-t

AlbanianSport.com 15/03/2024 19:25 ASNN – Besëlidhja komandon e vetme Superligën, sfidë e fortë

  

Kuqezinjtë në “Gjermani 2024” – Vendi Organizator & Të rejat më të fundit

banner
banner
banner

Arkiva

banner
banner
banner
banner
banner
banner

Kontakte dhe informacione

Rrjeti Shqiptar i Lajmeve Sportive (ASNN)

PR & Marketing:
Gentiana Kodra (Pine)

Rrjetet Sociale

Rreth Nesh