AlbanianSport.com 08.12.2014 17:35
ASNN – Diferenca prej 1 pike, forma e mirë që po kalojnë këto skuadra dhe sigurisht prania e 2 tifozerive në shkallët e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” do ta bëjë akoma më të bukur përballjen e 140-të midis s dy emblemave të futbollit shqiptar. Kjo sepse, pas më shumë se një dhjetëvjeçari, derbi kryeqytetas Partizani-Tirana do të luhet për herë të parë për kreun e renditjes. Mësohet se numri i biletave të shitura janë mbi 12 mijë, një shifër rekord ky përsa i përket futbollit shqiptar të këtyre 20 viteve të fundit.
Madje kjo shifër rivalizon ndeshjet e Kombëtares. Zemërgjerësia e Komisionit të Apelit në FSHF dhe sigurisht edhe e klubit Partizani ka bërë që rreth 5 mijë tifozë të skuadrës së Tiranës të kenë mundësinë të mbështesin skuadrën e tyre në shkallët e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”. Përsa i përket formacioneve, të dyja skuadrat kanë nga 1 mungesë, Vrapi për Partizanin dhe Olaki për Tiranën. Trajneri i “të Kuqve” pritet të luajë me skemën 4-4-1-1 dhe arma e tij në sulm do të jetë Raçiç.
Sllavi do të ketë mbështetjen e Nexhipit dhe dyshes Mazrekaj-Vila nga krahët. Ndërsa trajneri i bardhebluve pritet ta nisë ndeshjen me skemën 4-3-1-2. Dyshja sulmuese Ndikumana-Bushiç tregon qartë ambiciet e Maganit dhe Tiranës për ta fituar këtë derbi. Duke qenë se tifozët e futbollit dhe sidomos ata të Tiranës janë shndërruar javët e fundit në një çështje problematike, Policia e Tiranës ka ndërmarrë një plan masash për mbarëvajtjen e këtij derbi.
Është bllokuar qarkullimi dhe parkimi i automjeteve rreth e qark stadiumit “Qemal Stafa”, ndërkohë që në stadium do të lejohen të hyjnë vetëm ata tifozë që përveç biletës kanë me vete edhe dokumentin e identifikimit. Rreth 300 forca të rendit do të garantojnë sigurinë. Kjo është ndeshja e 140-të mes dy ekipeve dhe Partizani ka bilanc më të mirë, me 54 fitore dhe 43 humbje.