AlbanianSport.com 23/03/2021 23:10
ASNN – Vijnë edhe Berisha, Mitaj dhe Veseli, , të mërkurën paradite drejt Andorrës. Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar të martën pasdite seancën e fundit stërvitore në Barcelonë, në përgatitje për ndeshjen e 25 marsit 2021 që kuqezinjtë do të luajnë në Andorrë përballë përfaqësueses vendase. Për herë të parë në këto ditë, trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja, e ka patur të plotë grupin e lojtarëve, pasi kontingjentit kuqezi i është bashkuar edhe Etrit Berisha, Mario Mitaj dhe Frederik Veseli, të cilët kanë qenë të impenjuar deri në momentin e fundit me klubet e tyre.
Për këtë arsye, seanca stërvitore e së martës, e cila ishte e dyta në tokën katalane, ishte edhe e para e plotë për Rejën dhe është zhvilluar sipas programit. Deri më tani, nga kampi kuqezi nuk raportojnë për shqetësime fizike sa u përket lojtarëve, ndërsa lajmi i mirë është se asnjëri nga anëtarët e delegacionit kuqezi nuk ka rezultuar pozitiv në testet për “Covid-19”. Kombëtarja kuqezi do të niset të mërkurën në mëngjes drejt Andorrës, për t’u akomoduar atje.
Dhe për të zhvilluar më pas edhe seancën e fundit stërvitore në Stadiumin ku do të luhet edhe ndeshja ndaj përfaqësueses së Principatës së Pirenejve. Në ora 17:30 të mërkurën do të mbahet edhe konferenca për shtyp e trajnerit dhe kapitenit kuqezi, e ndjekur në ora 18:00, edhe nga nisja e seancës së fundit stërvitore. Siç dihet, ndeshja Andorrë-Shqipëri do të sillet të enjten për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 20:45.