AlbanianSport.com 23/03/2021 17:10
ASNN – Java e 13-të e Kampionatit Kombëtar të Futbollit të Femraveka zhvilluar katër ndeshjet e para ditën e shtunë, teksa ndeshja Lushnja-Teuta është zhvilluar ditën e hënë. Një nga sfidat më emocionuese të javës ishte klasikja Tirana-Vllaznia, e luajtur në kryeqytet, ku shkodranet triumfuan me rezultatin 0-4. Një pjesë e parë e vështirë për të dyja skuadrat, me Vllazninë që kaloi në epërsi në minutën e 16-të të takimit, me një gol të shënuar nga Esmeralda Franja. Kryeqytetaset patën disa raste, por nuk mundën të barazonin dhe pjesa e parë mbyllet në favor të Vllaznisë.
Me nisjen e fraksionit të dytë të lojës, shkodranet tentojnë disa herë në portën e Tiranës dhe arrijnë të gjejnë golin e dytë me Luçije Gjininin, e cila shënon në minutën e 61-të të takimit. Sërish në të 89-n është Gjini ajo që trefishon rezultatin për shkodranet dhe realizon golin e dytë personal. Në minutat shtesë të takimit, është Megi Doçi ajo që mendon të shënojë golin e katërt në portën e kryeqytetaseve, të cilat nuk ia dalin kështu të fitojnë kundër kampioneve në fuqi. Një tjetër sfidë delikate dhe mjaft e bukur është zhvilluar në Shkodër.
Aty ku Juban Danja priti të kuqet e Partizanit. Kjo e fundit kaloi në epërsi gjatë pjesës së parë më Begallon, në minutën e 31-të të takimit, duke befasuar shkodranet. Një pjesë e parë mjaft e mirë nga të dyja skuadrat, që u mbyll në favor të mikeve. Pjesa e dytë foli për Juban Danjën. Cerkini barazoi shifrat në minutën e 57-të ndërsa Caka u kujdes që të kalonte në epërsi shkodranet në minutën e 76-të të ndeshjes. 2-1 mbyllet kjo ndeshje në Shkodër, në favor të vendaseve të Juban Danjës. Apolonia fitoi me rezultat të thellë në Fier në ndeshjen kundër Bilisht Sportit.
Duke shënuar madje plot 18 herë në portën e mikeve. Sfida u hap nga Kastrati në minutën e parë, e cila shënoi për fieraket edhe dy gola të tjerë gjatë takimit. Armoku shënoi 4 herë gjatë takimit, ndërsa Amoniku, Mema, Gjata, Berisha dhe Danaj shënuan nga dy herë secila në portën e Bilisht Sport, ndërsa shënoi edhe Ferhati. Apolonia vazhdon kështu të ndjekë Vllazninë, e cila është 5 pikë përpara. Me rezultat të thellë ka fituar në kryeqytet edhe Tirana AS në sfidën kundër shkodraneve të Akademisë AAS, duke triumfuar me shifrat 10-0.
Mema kaloi në epërsi kryeqytetaset që në minutën e parë të takimit. Në minutën e 25-të shënon golin e dytë për Tirana AS, Goufran, e cila shënon sërish për vendaset në minutën e 42-të. Monkam dhe Koldashi mbajnë vulën e dy golave secila për skuadrën e Tirana AS, teksa nga një gol shënuan edhe Coka, Banushi dhe Troka. Kjo është fitorja e dytë në radhë e kryeqytetaseve në këtë fazë të dytë të kampionatit. Ndërkaq, në Lushnjë, vendaset pritën ekipin durrsak të Teutës. 0-5 përfundoi kjo ndeshje në favor të bregdetareve.
Ato kaluan në epërsi që në minutën e parë me Delilaj. Pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat, paçka se rastet për të dyja ekipet ishin të shumta. Në fraksionin e dytë, durrsaket shpërthejnë dhe shënojnë edhe 4 gola të tjerë, me Malaj që shënon një dy golësh në minutat 55-të dhe 58-të, ndërsa shënojnë edhe Habili në minutën e 74-të dhe Kallabaqi në fundin e ndeshjes. Kështu, Teuta merr 3 pikë mjaft të vlefshmë në vizitën e Lushnjes, ndërsa kjo e fundit vijoj të renditet në vendin e parafundit pas 13 javës
Ndeshja mes Kinostudios dhe Skëndërbeut, e planifikuar të luhej ditën e hënë, më 22 mars 2021, do të luhet ditën e enjte, më 25 mars 2021, si pasojë e kushteve të këqija atmosferike.
Kampionati Kombëtar
i Futbollit – Femra
Java e 13-të:
Të shtunën, 20 mars 2021:
Tirana AS – Akademia AAS 10-0
Juban Danja – Partizani 2-1
Tirana – Vllaznia 4-0
Apolonia – Bilisht Sport 18-0
Të hënën, 22 mars 2021:
Lushnja – Teuta 0-5
Të enjten, 25 mars 2021:
Skënderbeu – Kinostudio ora 11:00