AlbanianSport.com 22/03/2021 17:10
ASNN – Kombëtarja shqiptare e futbollit ka filluar ditën e hënë grumbullimin zyrtar për ndeshjen e parë eliminatore, të vlefshme për Kampionatin Botëror “Katar 2022”, atë ndaj Andorrës në fushën e kësaj të fundit. Nga grumbullimi në Barcelonë, ditën e sotme kanë dalë në konferencë për shtyp Arlind Ajeti dhe Sokol Cikalleshi. Qendërmbrojtësi Arlind Ajeti, i cili rikthehet në skuadrën Kombëtare pas një shkëputje të gjatë, nuk e ka fshehur kënaqësinë e grumbullimit në skuadër.
“Jam shumë i lumtur që jam rikthyer, nuk mund ta fsheh kënaqësinë time kur shikoj gjithë stafin dhe të gjithë grupin, – ka thënë ai. – Më kanë munguar shumë. Vij në një grup që ka shumë lojtarë që luajnë dhe janë aktivizuar shumë me klubet e tyre, kjo do na japë një besim të madh për ndeshjen e ardhshme. Më duket që ka kaluar një kohë shumë e madhe, jam shumë i lumtur që rikthehem. Kombëtarja jonë ka pasur gjithmonë një grup të mirë, siç është edhe tani.”
“Të gjithë më kanë pritur mirë dhe kjo më bën të ndihem akoma më mirë, – ka vijuar futbollisti i Rexhianës, që militon në Serinë B të Italisë. – Kur jemi në Kombëtare, të gjithë luajmë me zemër dhe japim shpirtin. Ndeshjet që vijnë janë të vështira dhe ne nuk nënvlerësojmë asnjë kundërshtar. Do të zbresim në fushë për të dhënë maksimumin dhe siç e thashë këto ndeshje, sidomos me Andorrën, nuk duhet ta nënvlerësojmë sepse kemi luajtur këtu dhe e dimë çfarë fushe e vështirë është kjo.”
“Ne duhet të japim 100%, – ka këmbëngulur 27-vjeçari. – Ne jemi profesioniste, e njohim njëri tjetrin, kemi ndeshje në këmbë dhe njohja me njëri-tjetrin na bën më të lehtë dhe pavaresisht kohës së pakët në dispozicion për të përgatitur ndeshjet, jam optimist se do ja dalim.Nuk duhet të nënvlerësojmë kundërshtarin. Edhe Franca me një emër të madh ka pasur vështirësi, e dimë se çfarë na pret dhe duhet të fokusohemi te gjërat që na jep trajneri”, – ka përfunduar futbollisti i Kombëtares, Arlind Ajeti.