AlbanianSport.com 21/03/2021 19:25
ASNN – Lista e ekipit kombëtar të Nën-21-vjeçarëve, e shpallur ditën e shtunë nga trajneri Alban Bushi, ka pësuar tashmë dy ndryshime për shkak të epidemisë së “Covid-19”.
Zyra e Shtypit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka bërë të ditur se Serxhio Kalaja, mbrojtësi i talentuar shqiptar, nuk do të jetë pjesë e këtij grumbullimi, pasi ka rezultuar pozitiv me “Covid-19”.
Gjithashtu, edhe mesfushori kuqezi, Erald Lakti, i cili aktivizohet me ekipin e AC Renate në Itali, edhe pse ka rezultuar negativ në testin e zhvilluar ditën e diel, përpara nisjes për në Shqipëri, nuk është lejuar nga autoritetet italiane të udhëtojë.
Kjo për shkak të disa rasteve me “Covid-19” që janë evidentuar së fundmi. Për shkak të impenjimeve me klubet dhe problemeve të lidhura me epideminë, trajneri Bushi ka vendosur të mos marrë lojtarë të tjerë për ta zëvendësuar.
Shqipëria e Nën-21-vjeçarëve të futbollit do ta nisë fushatën e saj në kuadër të Eliminatoreve të “EURO 2023”-shit të kësaj grupmoshe në 4 qershor 2021, me vizitën që do t’i bëjnë Andorrës.