AlbanianSport.com 20/03/2021 22:25
ASNN – Ka marrë një barazimi pa gola, por mjaft të vyer në fushën e një skuadre pretendente për kreun si Teuta, Kastrioti do të rikthehet të dielën të luajë në kampionat, kur të presë në shtëpinë e tij “të adoptuar”, në stadiumin e Kamzës skuadrën e Vllaznisë, në takimin që luhet pasdreke, duke nisur nga ora 13:00. Në vigjilje të këtij takimi, trajneri i krutanëve, Ramazan Ndreu, ka theksuar se “në këtë fazë të kampionatit, çdo pikë e grumbulluar është një plus i madh.
“Aq më tepër kur e merr ndaj një ekipi të fortë si Teuta, – ka vijuar ai. – Kemi punuar gjithë javën dhe jemi në ritmin e duhur, ndaj besoj që do të marrim pikët nëse do të jemi pragmatistë. Ua kam bërë të ditur lojtarëve që është ndeshja më e vështirë e kampionatit, pasi Vllaznia duket sikur është në kopals, por është një skuadër që ka luajtur shumë mirë futboll dhe ka çaluar vetëm për shkak të presionit. Unë vlerësoj shumë kundërshtarin që na pret të dielën.
“Dhe mund ta fitojmë këtë përballje vetëm nëse japim maksimumin në fushën e lojës, – ka theksuar kreu i stolit krutan. – Unë nuk ankohem për mungesat në përgjithësi, por një armë më shumë për Kastriotin në këtë ndeshje, është pikërisht fakti që kemi në dispozicion të gjithë futbollistët.” Në dy përballjet e deritanishme në kampionat, Kastrioti është mundur 0-3 në ndeshjen e parë “në shtëpi” në dhjetor të vitit të shkuar, ndërsa ndeshja e fundjanarit në Shkodër u mbyll me rrjeta të paprekura.