AlbanianSport.com 20/03/2021 17:55
ASNN – Në atë që, përveç duelit midis Laçit dhe Tiranës, është padyshim dueli tjetër më i spikatur i javës së 20-të të Kategorisë Superiore, Partizani, përballet të dielën me Teutën, në takimin që nis në ora 16:00. Të kuqtë kryeqytetas do të kërkojnë të rikthehen te fitorja, pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, përballë Laçit. Në prag të kësaj ndeshje, para mediave ka dalë të shtunën trajneri Ilir Daja i cili është shprehur se do të jetë një ndeshje mes dy skuadrave që kanë ecuri të njëjtë, teksa shton se skuadra e tij do kërkojë fitoren.
“Pas Laçit, nuk ka qenë e vështirë për motivimin, – ka thënë ai. – Vijmë pas dy ndeshjeve shumë të mira, pas fitores në derbi dhe pas eliminimit në Kupë, ku u pa nga të gjithë se në atë ndeshje nuk kishim shumë mundësi për t’u kualifikuar, jo për shkak të lojës, por për faktorët e tjerë. Sidoqoftë, u thashë lojtarëve ta mbajnë kokën lart, pasi kemi bërë shumë mirë. Mendoj që do jetë një ndeshje shumë e luftuar, ashtu siç ndodh zakonisht në përballjen mes dy ekipeve. Ne e kemi të gjithë si klub nuk merremi me gjyqtarët.
“Mund të gabohet njëherë, por kur përsëritet, është faj, – ka vijuar trajneri i të kuqve. -E dimë që po të merremi me gjyqtarët, nuk nxjerrim ndonjë gjë të mirë.” Më pas, Daja e ka zhvendosur vëmendjen tek ndeshja e radhës, teksa thotë: “Sigurisht që vjen ndeshja me Teutën, që është i fortë pasi jemi me pikë të barabarta. Përballet sulmi më i mirë me mbrojtjen më të mirë Kemi pasur ecuri të njëjtë. Teuta bën një lojë të fortë në ajër. 60% të golave i kemi shënuar me goditje standarde. Unë mendoj që do jenë përplasje të fortë në fushë.”
“Ne nuk e citojmë repartin e sulmit, pasi të gjithë luajnë në sulm dhe në mbrojtje, – ka theksuar ai. – Besoj që do ketë raporte shumë të forta dyluftimi. Domingez jo se nuk është në formë të mirë, por vjen nga një futboll ndryshe nga ky këtu në Shqipëri. Kemi frikën e ndonjë gabimi të mundshëm, deri sa të përshtatet me futbollin në Shqipëri. Jemi të gjithë të plotë, për veç Ferhan Hasanit që do jetë në stol, por nuk do e rrezikojmë në këtë ndeshje. Nuk është në maksimumin e tij”, – ka përfunduar trajneri i Partizanit, Ilir Daja.