AlbanianSport.com 20/03/2021 16:25
ASNN – Të dielën do të luhet një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës së 25-të të Kategorisë Superiore shqiptare, Partizani-Teuta, e cila është një ndeshje vendimtare për të dyja skuadrat sa i përket vazhdimësisë së kampionatit për secilën prej tyre. Dhe, së bashku me trajnerin Edi Martini, ka qenë i pranishëm edhe sulmuesi i Teutës, Dejvi Bregu, i cili foli për përballjen e së dielës me Partizanin dhe për objektivat aktualë të ekipit bregdetar.
“Pak rëndësi ka kush shënon dhe e zgjidh ndeshjen, – ka thënë ai. – Rëndësi ka të marrim 3 pikët dhe të shkojmë të gjithë të lumtur në shtëpi. Nuk diskutohet që me Partizanin është një ndeshje shumë e vështirë. Janë rival direkt i yni dhe i respektojmë, siç edhe na respektojnë. Do jetë një ndeshje e luftuar nga të dyja ekipet dhe do të zgjidhet nga episodet. Besoj se atmosfera në ekip është e mirë, pasi kemi zgjidhur çështjen e kualifikimit në Kupë.”
“I gjithë përqendrimi ynë është te ndeshja me Partizanin, për Laçin do të mendojmë më pas, ka vijuar 25-vjeçari. – Partizanin e kemi vlerësuar maksimalisht dhe shpresoj të jemi ne fitimtarët. Diskutimi është gjithmonë i njëjti, që të jemi të përqendruar maksimalisht në çdo ndeshje. E dimë edhe vetë që kemi bërë hapa të gabuar gjatë këtij kampionati, por edhe të tjerët kanë gabuar. Sa i përket drejtuesve, ata kanë qenë afër ekipit dhe na kanë mbështetur. Të gjithë së bashku jemi për një qëllim.”
Në vijim, futbollisti vlonjat i durrsakëve ka folur për përshtatjen në ekip, duke bërë edhe një krahasim me të shkuarën: “Varet si e shihni ju, – ka thënë ai. – Tek Skënderbeu luanim me tjetër modul, ishin të tjerë lojtarë, këtu jemi përshtatur ne me ekipin. Vinim në ekip të ri, është tjetër skuadër. Shpresoj që si unë, si Krasniqi, si Daja, që jemi lojtarët të ardhur, t’i japim një ndihmë ekipit dhe ta mbyllim me titullin “kampion”. Në mbyllje, Dejvi Bregu ka folur edhe për objektivat e Teutës.
“E kemi të gjithë potencialin për të luftuar për të dy trofetë. Objektiva e klubit janë maksimale, pavarësisht se unë apo edhe të tjerë këtu përqendrimin më të madh e kanë te kampionati. Jo duke e nënvlerësuar kupën, por kampionati është diçka e madhe. Mund t’ia dalim, por kjo tregohet hap pas hapi dhe ndeshje pas ndeshje”, – ka përfunduar futbollisti i Teutës.