AlbanianSport.com 17/03/2021 23:55
ASNN – Trajneri i Korabit, Agim Canaj, u shpreh i lumtur me paraqitjen e skuadrës së tij, pavarësisht eliminimit në Kupë përballë Vllaznisë. “Unë e thashë që në fillim, se favorit ishte Vllaznia, por ne nuk do të rrinim, provuam deri në fund, – ka deklaruar ai. – Arritëm të mbronim mirë, pavarësisht se morëm një gol dhe krijuam disa raste për gola. Në pjesën e dytë u shkundëm në aspektin psikologjik, krijuam besim, qarkulluam topin, mbyllëm hapësirat, dhe nuk i dhamë shanse Vllaznisë.”
“Krijuam dy raste të pastra, në qoftë se Skuka ishte më vendimtar në rastet që ai nuk i fal zakonisht, do ta kishim çuar ndeshjen në shtesë, – ka vijuar vlonjate i stolit dibran. – Kupa këtë specifikë ka. Shpresojmë që të jemi pretendentë deri në fund në kampionat për të synuar “Play-Out”-in. Ky ishte një test, e meritonim ta çonim lojën në shtesë. Në futboll jo gjithmonë mund të shënosh. Ne krijojmë shumë raste, kemi ngërçin para portës. Unë kam pasur besimin, skuadra me dy fitoret e fundit, ndaj Besëlidhjes dhe Burrelit, është rritur psikologjikisht. Shpresojmë shumë, se kjo është faza më e nxehtë e luftës në veri, është një grup shumë i fortë. Do të jemi deri në fund aty.”
“Skuadrat e tjera janë më shumë të investuara, në momentin që e kam marrë unë skuadrën, ka pasur zbrazje të lojtarëve. Kam gjetur një grup me elementë të rinj. Po të kisha lojtarë të tjerë, mund të kishim më shumë pikë. Jam i lumtur që skuadra po më ndjek dhe shpresoj që të arrijmë te objektivi. Kemi 3-4 elementë shumë të mirë që mund të luajnë në Superiore. 2-3 elementë edhe te Vllaznia i pëlqyen shumë. Ndeshja e sotme ishte një vitrinë për ne”, – ka përfunduar trajneri i Korabit, Agim Canaj.