AlbanianSport.com 17/03/2021 23:15
ASNN – Gjermanët bëjnë “formalitetin” përballë Lacios, anglezët bindin ndaj Atletikos së Madridit. Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës, Liga e Kampioneve ka njohur të mërkurën në mbrëmje edhe dy çerekfinaliste të tjera të saj dhe ato janë Bajerni i Mynihut dhe Çellsi. Gjermanët dhe anglezët u bashkohen kështu Realit të Madridit dhe Mançester Sitit në 8 më të mirat e kontinentit. Kështu, pas Realit të Madridit dhe Mançester Siti të martën, janë njohur të mërkurën edhe dy skuadra të tjera që sigurojnë vendin në çerekfinale të Ligës së Kampioneve.
Bajerni i Mynihut dhe Çellsi u bashkohen kështu spanjollëve dhe anglezëve në 8 më të mira e kontinentit. Pasi i kishin fituar takimet e para, përkatësisht 1-0 në Madrid përballë Atletikos vendase dhe 4-1 në Romë përballë Lacios, Çellsi dhe Bajerni i Mynihut kanë vijur t’i fitojnë edhe ndeshjet e kthimit të mërkurën në mbrëmje. Bavarezët kanë bërë formalitetin përballë skuadrës italiane, duke e mbyllur pjesën e parë në epërsi minimale, falë një 11-metërshi të saktë të Robert Levandovskit në minutën e 33-të.
Në pjesën e dytë, i sapofuturi Shupo-Moting do të dyfishojë epërsinë e Bajernit të Mynihut në minutën e 73-të, me golin e tij të dytë në 5 ndeshje në Ligën e Kampioneve, ndërsa Parolo do të shënojë për Lacion 8 minuta para fundit, duke bërë që kjo përballje të mbyllet me shifrat 2-1 në favor të gjermanëve. Ndërkaq, në “Stemford Bridxh” të Londrës, Çellsi ka shënuar dy gola, nga një për secilën pjesë loje, për të mposhtur Atletikon e Madridit 2-0 dhe për të siguruar vendin në çerekfinale.
Zijek ka realizuar në minutën e 34-t për blutë londinezë, të cilët do ta mbyllin pjesën e parë me këtë epërsi minimale, ndërsa do ta mbizotërojnë edhe të dytën. Anglezët gjejnë edhe një gol në fund, një gol që vulos fitoren e Çellsit në shifrat 2-0, ndërsa aventura e Atletikos së Madridit të Ligën e Kampioneve ndalet këtu.