AlbanianSport.com 14/03/2021 21:40
ASNN – Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit të dielën pasdite dhe në mbrëmje, drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar edhe dy finalet e Kupës së Shqipërisë në volejboll. Partizani ka bërë “bis”, duke rrëmbyer trofeun, si për femra, ashtu edhe për meshkuj. Por, ndryshe nga ajo e femrave, ka qenë një tjetër tablo tek finalja e meshkujve, e cila ka qenë mjaft e barazpeshuar dhe Partizani ka bërë dallimin vetëm në setin e 5-të dhe të fundit përballë Erzenit.
Në setin e parë, skuadra e trajnerit Ylli Tomori ka ruajtur qetësinë në fund, duke triumfuar me shifrat 25-23 dhe duke marrë kryesimin. Por skuadra shijakase ka reaguar në të dytin, duke kryesuar vazhdimisht dhe duke e marrë atë 25-18 dhe gjendja e seteve barazohet në 1-1. Madje skuadra e trajnerit Ben Sako ka vijuar të përmbysë rezultatin, duke e marrë të tretin 25-23 dhe duke udhëhequr tanimë 2-1 me sete.
Sidoqoftë, të kuqtë kryeqytetas do të reagojnë në setin e 4-t, duke e mbizotëruar atë dhe duke mos e vënë në dyshim fitoren, me shifrat 251-19. Kështu, gjithçka i është drejtuar setit final, aty ku është Partizani që bën dallimin duke e fituar atë 15-10 dhe gjithë ndeshjen 3-2 me sete. Në fund, festa e finales është e gjitha e kuqe dhe Partizani siguron trofeun e parë të këtij sezoni të rrjetës shqiptare, duke vendosur edhe kandidaturën për titullin “kampion”.