AlbanianSport.com 14/03/2021 17:10
ASNN – Futbolli i femrave dhe fëmijëve në Shqipëri është një nga prioritetet kryesore të Federatës Shqiptare të Futbollit. Për të folur mbi projektet që Federata Shqiptare e Futbollit ka për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit të fëmijëve dhe të femrave, si dhe për vlerat e futbollit, pjesë e emisionit “Pasditja ime lejla”, në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar ka qenë i ftuar Përgjegjësi i Futbollit të Fëmijëve dhe Projekteve në FSHF, Andi Zëre. Ai tha se futbolli i femrave tashmë është i pranishëm në shoqërinë shqiptare, duke njohur zhvillim në të gjithë zinxhirin e tij.
“Futbolli i femrave është i pranishëm tashmë, – ka theksuar Zëre. – Kemi Kombëtare femrash, Kombëtarja A, Kombëtarja Nën-19-vjeçaresh dhe Kombëtarja Nën-17-vjeçaresh. Kemi kampionatin e Kategorisë Superiore të femrave si dhe kampionate rajonale, të grupmoshave. Pra, futbolli ka një zhvillimi në të gjithë zinxhirin e tij.” Më tej ai foli për projektin e fundit të ndërmarrë nga Federata Shqiptare e Futbollit, në lidhje me futbollin për femra në shkollat 9-vjeçare, duke theksuar se është e rëndësishme që fëmijët të fillojnë të ndjekin futbollin që në moshë të vogël.
“Sa më herët të fillojnë fëmijët të luajnë futboll, aq më mirë, – ka këmbëngulur zyrtari i FSHF-së. – Fëmijët fillojnë ta përvetësojnë sportin që në atë moshë dhe e ndjekin përgjatë jetës së tyre. Projekti ynë fillon me grupmoshat Nën-13-vjeç, që janë vajza 10, 11 dhe 12 vjeçe.Projekti i fundit është shumë i rëndësishëm sepse ndihmon në masivizimin e futbollit. Qëllimet e projekteve janë që të promovojnë futbollin dhe ta dërgojnë futbollin aty ku janë fëmijët. Ne besojmë që sporti në përgjithësi dhe futbolli në veçanti është një e drejtë, jo privilegj dhe i takon të prezantohet te çdo fëmijë.”
Zëre ka theksuar se është shtuar interesi nga ana e prindërve për të bërë vajzat e tyre pjesë të futbollit. “Ka interes dhe entuziazëm nga prindërit që kanë vajza”.- shtoi Përgjegjësi i Futbollit të Fëmijëve dhe Projekteve në FSHF. Profesori i edukimit fizik në shkollën “Jeronim De Rada”, Klodjan Kasa foli për kampionatin e organizuar nga FSHF-ja. “Ne jemi kampionë në Tiranë për futbollin e femrave, – ka thënë ai. – Në kampionatin aktual që zhvillohet nga FSHF-ja ne jemi në vendin e parë. Në shkollën tonë zhvillohen shumë aktivitete.
“Por këto vajza kanë dëshirë maksimale të merren me futbollin”, – ka shtuar Kasa. Ndërkaq, nxënëset e shkollës “Jeronim De Rada”, Sibora Bashllari dhe Abrienda Bajraktari folën për fillesat e para në futboll dhe për kampionatin e shkollave, duke u shprehur mjaft të lumtura për këtë projekt të ndërmarrë nga Federata Shqiptare e Futbollit.