AlbanianSport.com 14/03/2021 11:25
ASNN – Këtë fundjavë ka nisur të luhet faza e dytë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit të Femrave, pas ndërprerjes tre javore, për shkak të zhvillimit të ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë. Pas një faze të parë emocionuese, me më shumë rivalitet dhe më shumë skuadra në kampionat, e shtuna e 13 marsit riktheu në fushë “topkëmbën” e vajzave. Vllaznia, kampionia simbolike e dimrit, që e mbylli fazën e parë me pikë të plota, priti në Stadiumin “Reshit Rusi” ekipin e Lushnjes. Një ndeshje e lehtë për shkodranet në letër por edhe në fushën e blertë, sepse kuqeblutë fituan me rezultatin 8-0 në shtëpi.
Esmeralda Franja zhbllokon sfidën për Vllazninë në minutën e 26-të, duke kaluar në epërsi shkodranet. Megi Doçi shndërron në gol një 11-metërsh të fituar në minutën e 35-të, duke dyfishuar rezultatin, ndërsa në të 40-n minutë, është Arlinda Kodra ajo që trefishon rezultatin. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 3-0, teksa në pjesën e dytë shkodranet shënojnë edhe 5 herë të tjera në portën e lushnjareve. Matilda Gjergji shënon në minutën e 46-të, ndërsa 7 minuta më vonë, Arlinda Kodra shënon sërish për Vllazninë, duke i dërguar shifrat në 5-0. Dygolësh i Megi Doçit në pjesën e dytë dhe një gol i Arbiona Brocaj vulosin rezultatin final për Vllazninë, 8-0.
Ekipi shkodran ka rikonfirmuar kështu vendin e parë me fillimin e fazës së dytë. Lushnja vijon të jetë në kuotën e 3 pikëve pas 12 javësh futboll. Skuadra tjetër shkodrane, AAS ka fituar me rezultat minimal në ndeshjen kundër Bilisht Sport. Një ndeshje mjaft e luftuar nga Bilisht Sport, që tentoi të merrte barazim kundër shkodraneve, në një ndeshje të bukur, por nuk ia dolën. Përmes goditjes nga pika e bardhë e 11-metërshit, në minutën e 75-të, Ndoci kaloi në epërsi shkodranet, të cilat ia dolën të ruajnë rezultatin , duke triumfuar minimalisht në Bilisht 1-0. Bilisht Sport vijon të gjendet në vendin e fundit në renditje.
Ndërsa Akademia AAS gjendet në vendin e 8-të, me 12 pikë. Teuta priti në Durrës shkodranet e Juban Danjës, në një ndeshje me shumë aksione dhe raste të kthyera në gol. Një pjesë e parë emocionuese, me 6 gola të shënuar nga të dyja skuadrat. Dy dygolësha të realizuar nga durrsaket dhe shkodranet, me Çerkinin, e cila shënon dy herë për Juban Danjën, në minutat 10 dhe 30, dhe Malajn që shënon për durrsaket në minutat 31 dhe 46. Dygolëshi i Vasës, goli i Tanushit dhe Lebës i japin fitoren shkodraneve, të cilat marrin një fitore të vyer në Durrës, duke triumfuar me rezultatin 2-6.
Apolonia fitoi në Fier, me 10 gola të shënuar në portën e korçareve të Skënderbeut. Kastrati zhbllokoi sfidën për fieraket në minutën e tretë, ndërsa shënon dy herë Klea Amonikaj në minutat 8-të dhe 23. Berisha, Iliadhi, Tukaj dhe dopieta e Armokut mbyll pjesën e parë me goleadë golash nga Apolonia. Në pjesën e dytë, Armoku shënon golin e tretë personal dhe të nëntin për skuadrën ndërsa në minutën e 64-t, Gashi shënon golin e dhjetë, duke mbyllur ndeshjen me fitoren e Apolonisë, që renditet në vendin e dytë, në ndjekje të Vllaznisë.
Kampionati Kombëtar
i Futbollit – Femra
Të shtunën, 13 mars 2021:
Bilisht Sport – Akademia AAS 0-1
Teuta – Juban Danja 2-6
Vllaznia – Lushnja 8-0
Apolonia – Skëndërbeu 10-0
Të dielën, 14 mars 2021:
Partizani – Tirana AS (12:00)
Kinostudio – Tirana (14:00)