AlbanianSport.com 11/03/2021 23:10
ASNN – Trajneri i Kastriotit flet para sfidës me Teutën, i lumtur për rikthimin e grupit të plotë. Skuadra e tij ka spikatur me disa rezultate, por edhe me ruajtjen e vendit të saj në zonën e sigurt të renditjes, por ajo ka patur shpesh luhatje në paraqitjen e saj. Por, për trajnerin e Kastriotit, e përgjithshmja është pozitive. “Më bëhet shpesh kjo pyetja për luhatjet e skuadrës”, – ka pohuar ai.
“Luhatjet janë pjesë e një sezoni futbollistik, e për më tepër për një skuadër e re si e jona, – ka vijuar 54-vjeçari. – Ka patur raste kur rezultatet nuk kanë qenë ato që do të kishim dëshiruar, por mos harroni që edhe ky është një kampionat i ashpër dhe nuk është e lehtë të ruash qëndrueshmërinë.” Kjo e bën trajnerin krutan optimist për duelin e radhës, atë me Teutën në Durrës.
“Prandaj e theksoj se skuadra më ka kënaqur në përgjithësi dhe ka arritur një nivel të kënaqshëm dhe jam optimist se në Durrës shkojmë për pikë, – ka thënë Ndreu. – E mbështes këtë nga loja në rritje e skuadrës, nga përkushtimi i lojtarëve, që kanë ego dhe që duan të bëjnë lojëra të bukura.” Trajneri i Kastriotit merr frymë edhe më lirisht për këtë ndeshje, teksa grupin do ta ketë të plotë.
“Po, na rikthehen 4 lojtarë për këtë ndeshje dhe ky është një lajm i mirë, – ka pohuar ai. – Sepse ne jmi një skuadër që e ndjejmë çdo mungesë dhe çdo rikthim është një plus i madh.” Takimi Teuta-Kastrioti, i vlefshëm për javën e 24-t të Kategorisë Superiore, do të luhet të shtunën, në Stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, duke nisur nga ora 16:00.