AlbanianSport.com 11/03/2021 18:40
ASNN – Kombëtarja kuqezi e Nën-17-vjeçareve njeh kundërshtaret në Eliminatore. Në Nion të Zvicrës, në selinë e UEFA-s, është hedhur ditën e sotme shorti për Kampionati Evropean i Nën-17-vjeçareve në futboll për femra. Shqipëria ndodhet në Ligën B ku shorti e ka vendosur në Grupin e 6-të me Azerbajxhanin dhe Malin e Zi, në një mini-turne që do të mbahet në Shqipëri si vend organizator.
Eliminatoret e Nën-17-vjeçareve dhe Nën-19-vjeçareve për futbollin e femrave janë riorganizuar së fundmi, me vendimin e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s të vitit 2020, duke ndarë skuadrat në dy liga, A dhe B, me skuadrat e Ligës A që garojnë për t’u kualifikuar në Evropian dhe skuadrat e Ligës B për t’u bërë konkurruese dhe për t’u ngjitur një ligë më lart dhe për të arritur Kampionatin Evropian.
Në Ligën A janë 7 grupe me nga katër skuadra, ndërkohë që në Ligën B janë gjashtë grupe ku tre janë me nga katër skuadra dhe tre të tjera me 3 skuadra për një total prej 21 shtetesh që përfaqësohen në këtë ligë. Shqipëria do të garojë për të arritur një sukses dhe për t’u ngjitur një ligë më lart, si dëshmi e rritjes së vazhdueshme që po tregon futbolli shqiptar i femrave prej vitesh.