AlbanianSport.com 10/03/2021 17:40
ASNN – Për Amardën, futbolli nuk është thjesht një lojë. Pavarsisht paragjykimeve, ajo ka nisur të luajë futboll që kur ishte e vogël, derisa në moshën 15-vjeçare realizoi ëndrrën e saj duke u bërë pjesë e ekipit të Kinostudios, klub ku luan ende sot. Në fakt, koha që i kushton futbollit është më e madhe se koha që u kushton mësimeve dhe familjes.
E sapogrumbulluar me Kombëtaren e madhe, duke marrë ftesën nga trajneri Grima, në grumbullimin që Kombëtarja e “topkëmbës” së vajzave zhvilloi në Ulqin në Mal të Zi, ajo shprehet e vlerësuar dhe thekson në një intervistë për rubrikën “Talenti Shqiptar” në faqen zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit se do të vijojë të punojë më shumë, në mënyrë që një ditë të bëhet pjesë e formacionit si titullare.
Ndërkohp, teksa pyetet mbi vëmendjen që po i kushtohet futbollit të femrave, nga ana e FSHF-së, Xhebrahimi beson se numri i vajzave do të shtohet dhe se vë re në këtë kampionat më shumë rivalitet mes ekipeve. Në intervistën më poshtë, futbollistja e Kinostudios dhe e Kombëtares shqiptare rrëfen jetën e saj futbollistike.
– Na flit pak për hapat e tu të parë në futboll. Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport?
– Hapat e mia të para në futboll i kam pasur në shkollën 9-vjeçare, në kohët kur zhvillonim shumë aktivitete të ndryshme mes shkollave. Sa më shumë luaja futboll, aq më shumë kuptoja se ky sport më tërhiqte drejt vetes. Më pas ishte babai im i cili më shtyu ta ndiqja këtë lojë, pavarësisht të gjitha paragjykimeve. Ai më regjistroi në një nga ekipet e moshave në Tiranë, ku u zhvillova shumë, derisa në moshën 15-vjeçare u bëra pjesë e ekipit të Kinostudios, klub për të cilin luaj edhe sot e kësaj dite.
– Si është marrëdhënia jote me grupin dhe trajnerin?
– Kemi një marrëdhënie shumë të mirë me njëra-tjetrën dhe një bashkëpunim mjaft të frytshëm. Për mendimin tim, bashkëpunimi në grup është shumë i rëndësishëm për ecurinë e skuadrës. Edhe me trajnerin kemi një marrëdhënie shumë të mirë.
– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga Kombëtarja?
– Besoj se çdokujt që i është bërë kjo pyetje është përgjigjur se ka qenë një moment i veçantë. Ashtu edhe unë, nuk e përshkruaj dot ditën kur mora ftesën, kam pasur shumë emocione. Është një nga ato momentet që çdo njeri në fushën e tij do t’i përjetojë, unë për shembull e kisha ëndërr të isha pjesë e Kombëtares, dikush tjetër ka dëshirë të jetë pjesë e një institucioni, etj. Tani nuk është më thjesht një ëndërr, por jam në realitet.
– Si e sheh kampionatin deri tani, në krahasim me sezonin e kaluar?
– Ky sezon ka më shumë rivalitet. Nga viti i kaluar në këtë vit, kampionati ka njohr një rritje, kemi më shumë skuadra, në të cilat realisht shikoj kundërshtare mjaft të forta.
– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani ?
– Kam pasur momente të lumtura me klubin, por do të doja të veçoja episodin më të fundit, ku mora ftesën nga trajneri Armir Grima për të qenë pjesë e grumbullimit të Kombëtares së madhe në Ulqin. Është vlerësim i madh për të gjithë punën që kam bërë deri tani dhe më motivon që të punoj akoma edhe më shumë, që një ditë të jem pjesë e formacionit si titullare.
– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin ?
– Futbolli është një sport që e dua shumë dhe për këtë arsye, në moshën që jam disa sakrifica, unë gjykoj, se duhen bërë. Një ndër to është pjesa e studimeve, por kjo nuk do të thotë aspak se nuk studioj. Mendoj se duke qenë një nxënëse e mirë, mund t’ia dal të bëhem edhe një futbolliste e mirë dhe e anasjellta.
– Çfarë synimi ke për të ardhmen?
– Për momentin jam e fokusuar te Kinostudio. Normalisht që dëshira e çdokujt është që të bëhet pjesë e skuadrave elitare në Evropë, por siç thashë, unë jam e fokusuar në këtë ekip.
– Cila është këshilla më e vyer që ke marrë dhe nga kush ?
– Këshillat më të vyera vijnë nga njerëzit më të afërt dhe kujtoj gjithmonë familjarët e mi që më kanë thënë se duhet të qëndroj me këmbë në tokë, pavarësisht se sa lart mund të ngjitem në karrierë. Edhe nëse bie, sërish të gjej forcat të ringrihem. Kur isha e vogël ndoshta nuk i kuptoja aq shumë, por tani që po rritem, po filloj t’i kuptoj fjalët e tyre.
– Si e vlerëson faktin që Federata Shqiptare e Futbollit po i jep prioritet futbollit të femrave?
– E vlerësoj vërtetë shumë pasi mendoj se do të shtohet numri i vajzave që luajnë futboll. Madje ne e shohim që këtë vit në kampionat që kemi më shumë skuadra në kampionat dhe kemi më tepër rivalitet. Kjo na bën të punojmë më shumë.
– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?
– Eros Grezdën e kam ndjekur gjithmonë si shembull dhe është idhulli im. Më pëlqen mënyra se si luan, shumë i shpejtë dhe di se ku ta dërgojë topin kur është në fushë.
– Çfarë mesazhi u jep vajzave që u thuhet se futbolli është vetëm për djem?
– Do të doja t’i thoja të gjitha vajzave që e pëlqejnë këtë sport që të vazhdojnë me ëndrrën e tyre pasi futbolli është një sport që jo vetëm është i bukur, por ka edhe një sërë përfitimesh të tjera, si për shembull, mbajtja e trupit në formë. Paçka paragjykimeve, apo fjalëve që thonë njerëzit, e rëndësishme është të dëgjojnë zemrën.