AlbanianSport.com 08/03/2021 18:40
ASNN – Vijon përzgjedhja 3-ditore, flasin Ramadani, Zaganjori dhe Shtraza. Vazhdon grumbullimi 3-ditor i Kombëtares së Nën-17-vjeçarëve nën urdhrat e trajnerit Ervin Bulku, i cili ka thirrur të gjithë lojtarët e vitlindjes 2005-2006 që synojnë të luajnë me ekipet e moshave kuqezi. Disa prej tyre dhanë edhe përshtypjet e para nga kjo përzgjedhje, teksa u shprehën shumë të kënaqur për shansin që u është dhënë.
Nga lista me 26 lojtarë, vetëm 6 prej tyre vijnë nga klube të huaja, ndërsa pjesë tjetër aktivizohet në kampionatin shqiptar të kësaj grupmoshe. Një nga emrat e rinj të ftuar është Ramadan Sulejmani, mbrojtësi 15-vjeçar i rritur te skuadra austriake LASK, i cili ndihet mirë në këtë “debutim” të tijin me ekipin kombëtar të Nën-17-vjeçarëve. “Është hera e parë që vij në një përzgjedhje të ekipeve kombëtare shqiptare”, – ka thënë ai.
“Mund të them që ndihem shumë mirë, atmosfera në grup është pozitive dhe me stafin teknik po punojmë mirë. Sigurisht dëshira ime është të bëhem një lojtar edhe më i mirë dhe të luaj një ditë në Kombëtaren A”, – shtoi Sulejmani. Kurse Ersi Zaganjori, mesfushori që aktivizohet në radhët e Vllaznisë, është aktivizuar më parë edhe me grupmoshat kuqezi të Nën-15-vjeçarëve.
Dhe. si të gjithë moshatarët e tij që luajnë futboll synon që një ditë të arrijë majat. “Unë kam qenë i grumbulluar edhe më parë me ekipin kombëtar Nën-15 të Shqipërisë dhe tani vij të kombëtarja e Nën-17-vjeçarëve. – Shpresoj që një ditë të luaj për Kombëtaren A, ashtu si çdo fëmijë tjetër që e ka ëndërr të luajë për Kombëtaren e madhe. Synimi im është që të punojmë fort për t’u bërë lojtar i rëndësishëm në të ardhmen.”
Sulmuesi i Teutës, Arbri Shtraza, i ka idetë e qarta për të ardhmen, teksa shpjegon se ndjesitë e tij për këtë përzgjedhje janë mjaft pozitive. “Kjo është përzgjedhja ime e parë me ekipin kombëtar të Nën-17-vjeçarëve, pohoi ai. – Me disa prej djemve jam njohur që te grupmosha e Nën-15-vjeçarëve, ndërsa një pjesë tjetër vijnë për herë të parë këtu. Atmosfera është shumë pozitive dhe ndihemi shumë mirë.”
“Përshtypja e parë për stafin teknik është gjithashtu pozitive, na kanë bërë të ndihemi komod. Shpresoj që të arrijmë sa më shumë suksese e rezultate të mira. Objektivi im është që gjithmonë të shoh sa më lart e të arrij të luaj në Kombëtaren A. Duhet të punojmë shumë. Duhet punuar fort sepse niveli që duhet për të luajtur në Kombëtaren A duhet të jetë sa më i lartë”, – përfundoi Shtraza.