AlbanianSport.com 08/03/2021 17:55
ASNN – Në duelin e parë gjysmëfinalist të Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra, të luajtur në Sallën Sportive “Feti Borova” të Parkut Olimpik të Tiranës, Partizani ka triumfuar pas 5 setesh në një betejë prej afro dy orësh ndaj Barleti Volejit, duke siguruar biletën për në finale.
Barleti Voleji e ka marrë setin e parë bindshëm, 25-13, duke krijuar idenë e një fitoreje të lehtë. Por të kuqet e kryeqytetit kanë reaguar, duke u shkëputur në kryesim në setin e dytë dhe, përtej një “ringjalljeje” në fund nga universitaret, e marrin atë, duke barazuar kështu gjendjen e seteve në 1-1.
Barleti Voleji do të vijojë ta fitojë sërish bindshëm 25-17, setin e 3-të, por Partizani është kundërpërgjigjur me të njëjtën monedhë në të 4-tin, duke e marrë atë 25-16 dhe duke e çuar gjithçka në setin e 5-të dhe të fundit. Aty ku Partizani ka me shifrat 15-10, duke e marrë gjithë ndeshjen me shifrat 3-2 dhe duke siguruar vendin në finale.