AlbanianSport.com 07/03/2021 19:50
ASNN – Ekipi kombëtar i Nën-17-vjeçarëve ka nisur të hënën një përzgjedhje 3-ditore në Kompleksin “Tropikal” në Durrës. Trajneri i sapoemëruar në stolin kuqezi, Ervin Bulku, ka thirrur në këtë grumbullim 26 lojtarë të vitlindjeve 2005-2006, të cilët janë pjesë e kampionatit shqiptar si dhe e kampionateve jashtë vendit e të cilët janë ndjekur me kujdes nga specialistët e sektorit të Ekipeve Kombëtare në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Përveç stërvitjes, trajneri Bulku do të ketë mundësinë t’i shohë kuqezinjtë edhe në një ndeshje miqësore, atë kundër ekipit të Nën-17-vjeçarëve të Teutës, që është planifikuar të zhvillohet ditën e mërkurë. Teksa flet për këtë grumbullim, Bulku u shpreh se janë grumbulluar lojtarë të kampionatit shqiptar, por edhe të huaj, dhe se përzgjedhjet do të vazhdojnë, me qëllim formimin e grupit përfundimtar për Eliminatoret e Evropianit të kësaj grupmoshe.
“Vazhdojmë ciklin e përzgjedhjeve, duke parë që kemi shumë lojtarë, por mendoj që kemi një ide të qartë për lojtarët që aktivizohen nëpër skuadrat e moshave në Shqipëri, – ka shpjeguar ai. – Tani kemi afruar edhe lojtarë nga jashtë, duke parë edhe vështirësitë që po kalojmë me epideminë, duke parë që është shumë e vështirë, që lojtarët që ne kemi kërkuar e që kemi ftuar, ka pasur momente që e kanë pasur të pamundur të vijnë dhe ne i kuptojmë.”
“Mendoj që do të kemi 2-3 etapa përzgjedhjeje brenda Shqipërisë, por edhe lojtarë që do kenë mundësi të vijnë, që ne të arrijmë së bashku me stafin të zgjedhim lojtarë dhe të krijojmë atë grupin që ne mendojmë që janë lojtarët më të gatshëm për momentin, duke parë që edhe gjatë rrugës mund të kemi lojtarë të tjerë, të cilët mund të jenë pjesë e Kombëtares së Nën-17-vjeçarëve, që do të jenë edhe grupi që do marrin pjesë në eliminatoret e Evropianit, që është në muajt tetor-nëntor”, – shtoi Bulku.
Më tej, trajneri kuqezi u shpreh se së bashku me trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave do të përzgjidhen lojtarët më cilësorë. “Mendoj që në momentin kur ne do t’i kemi vëzhguar të gjithë lojtarët, si jashtë edhe brenda vendit dhe duke i parë dy-tre herë me grupe, sepse duhet të bëjmë krahasimin brenda grupit dhe aty do të shohim kush janë lojtarët më cilësorë sipas mendimit tonë”, – ka theksuar ish-lojtari i Tiranës dhe i Kombëtares kuqezi.
“Lojtarët nuk do t’i seleksionoj vetëm unë me stafin tim, por edhe trajnerët e ekipeve të moshave sepse Federata Shqiptare e Futbollit ka si objektiv të punojë jo me individin por të punojmë si një grup, si një skuadër që të arrijmë të afrojmë sa më shumë lojtarë që t’i kemi të gatshëm për të ardhmen për në Shqipëri”,- përfundoi trajneri i Kombëtares së Nën-17-vjeçarëve, Ervin Bulku, i cili ka nën urdhërat e tij 26 lojtarë të cilët aktivizohen në klubet shqiptare dhe 6 prej tyre vijnë nga klube jashtë.