AlbanianSport.com 07/03/2021 14:00
ASNN – Ashtu siç ka ndodhur këto sezonet e fundit, janë dy rivalet durrsake, Teuta dhe Goga Basket, ato që vijojnë të komandojnë nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, Superligën, teksa pas takimeve të javës së 3-të, ndajnë kreun me pikë të plota, 6.
Ekipi i Teutës mundi pa shumë probleme 118-72 Barleti Eagles, në një sfidë midis dy ekipesh që ndodhen në skajet e kundërta të renditjes. Fitore të rëndësishme në fushë të huaj korri edhe skuadra private e Durrësit, Goga Basket, që mundi 109-79 Vllazninë në Shkodër.
Ndonëse pritej një përballje e fortë, mes dy ekipesh pretendente e të përforcuara me të huaj, në fushë dominuan durrsakët, më solidë se sa shkodranët, shumë larg pritshmërisë. Fiton edhe Tirana, që mundi 99-73 Partizanin në derbin e kryeqytetit, ndeshje që rikthen bardheblutë te torja.
Ndërsa të kuqtë, që kanë humbur në betejën me epideminë e virusit “Covid-19” edhe ish-trajnerin e tyre të ndjerë, Arben Fagun, ende nuk kanë shijuar suksesin këtë sezon. Ndërkaq, fitorja ngjit Tiranën në vendin e 3-të të renditjes, me një pikë më pas se dy ekipet durrsake dhe një pikë më tepër sesa Vllaznia.
Kampionatit Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Superliga
Java e 3-të:
Teuta – Eagles Basket 118-72
Partizani – Tirana 73-99
Vllaznia – Goga Basket 79-109
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Teuta 6
- Goga Basket 6
- Tirana 5
- Vllaznia 4
- Partizani 3
- Barleti Eagles 3