AlbanianSport.com 07/03/2021 17:55
ASNN – Një tjetër përballje e vlefshme për javën e 23-të të Kategorisë Superiore, e luajtur të dielën pasdreke, ishte ajo e luajtur në Stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, kur Teuta është ndalet në barazim, 1-1 me Bylisin, teksa golit të Bregut me 11-metërsh i është përgjigjur Beji. Një ndalesë e papritur kjo për skuadrën durrsake, e cila në këto javë të fundit, më shumë se kurrë, e ka vendosur emrin në listën e skuadrave pretendente për titull.
Një sfidë e nisur mirë për të besuarit e trajnerit Edi Martini, ku rastet për gol kanë ndjekur njëri tjetrin që nga fillimi i sfidës, për t’u konkretizuar në minutën e 30-të. Një ndërhyrje e parregullt e Ymeraliajt në dëm të Renato Arapit ka bërë që gjyqtari të akordojë një 11-metërsh, dhe Dejvi Bregu nuk ka gabuar nga pika e bardhë, duke e kaluar në epërsi skuadrën durrsake. Natyrisht, ky moment nuk ka kaluar pa protesta nga ana e lojtarëve të Bylisit.
Sidoqoftë, epërsia e durrsakëve zgjat vetëm 7 minuta, pasi Beji, nga e majta e sulmit, ka goditur saktësisht pas një aksioni të shpejtë, duke përshëndetur rrjetës. Protestat ndërrojnë kah në këtë rast, janë durrsakët që kërkojnë llogari tek gjyqtari, për një përplasje të tij me futbollistin e Teutës, Aleksin, por rezultati mbetet 1-1, që mbyll dhe pjesën e parë.
Rastet nuk mungojnë edhe në pjesën e dytë, sidomos për skuadrën e trajnerit Martini, me Plakun e Zogajn protagonistë, por rezultati mbetet i mbërthyer në shifrat 1-1 deri në fund. Për Teutën, një barazim i paparashikuar dhe i kontestuar, që mund të rezultojë i i kushtueshëm në garën për kreun, ndërsa për Bylisin një pikë shprese në betejën për të shmangur rënien automatikisht nga Kategoria Superiore, e për të ruajtur të paktën vendin e 8-të, që të çon në “play-out”-in midis dy Kategorive.
BYLIS – TEUTA 1-1
Shënues: Beji 37’ / Bregu 30’(11-m.)