AlbanianSport.com 06/03/2021 23:55
ASNN – Rikthehet kursi për video-analistët e futbollit që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kursi, që do të zhvillojë edicionin e tij të tretë, kësaj radhe paraqet disa risi të rëndësishme. Bëhet fjalë për një kurs i cili do të zhvillohet si me prani fizike, ashtu dhe “online”. Në këtë mënyrë, të gjithë shqiptarët, që janë të interesuar për t’u bërë video-analistë futbolli e që nuk ndodhen në Tiranë do të kenë mundësinë jo vetëm të ndjekin kursin “online”, por gjithashtu do të kenë akses te leksionet e regjistruara paraprakisht.
Puna e video-analistit është një profesion i ri në botën e futbollit, por që po bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm pasi bëhet fjalë për personin që mbledh të gjithë informacionin e nevojshëm për punën e skuadrës, të trajnerëve dhe të drejtuesve. Çdo staf teknik serioz ka nevojë për një figurë të tillë për të qenë në avantazh ndaj kundërshtarëve. Për 8 ditë radhazi, gjatë muajit mars të këtij viti, ata që synojnë të bëhen video-analistë do të ndihmohen nga stafi i Federatës, për të mësuar përdorimin e teknologjive te futbollit.
Por edhe për të studiuar teknikat e reja të analizave dhe të praktikohen me këtë profesion të ri. Ky kurs nuk i drejtohet vetëm atyre që synojnë të bëhen video-analistë, por të gjithë atyre personave që punojnë aktualisht në botën e futbollit dhe kanë dëshirë të thellohen në studimin e sportit më të bukur në botë. Ky projekt i Departamentit të Analizës, Inovacionit dhe Skautizmit në FSHF ka filluar të marrë jetë sezonin e kaluar dhe tashmë është gati me kursin e tij të parë të hapur për të gjithë, madje me disa lehtësira për femrat dhe studentët.
Të investosh në edukimin e analistëve do te thotë të investosh në të tashmen dhe në të arhmen e futbollit shqiptar: falë kësaj figure, jo vetëm trajnerët, por sidomos klubet do të kenë në dispozicion më shumë resurse dhe informacione për të marrë vendime të rëndësishme. Për këtë arsye, në planet e ardhshme të FSHF është edhe përfshirja e rolit të video-analistit në të gjitha stafet e Kategorisë Superiore dhe në të gjitha ekipet kombëtare, si të meshkujve ashtu dhe të femrave.
Në faqen zyrtare të FSHF-së në internet si dhe në kanalet e tjera të federatës në rrjetet sociale do të publikohen së shpejti mënyrat e regjistrimit në këtë kurs cili do të zhvillohet nga stafi i Federatës. Personat e interesuar mund të dërgojnë një email interesimi në adresën e e-mailit: analysis@fshf.al.