AlbanianSport.com 06/03/2021 21:40
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë një tjetër kurs për formimin e fizioterapistëve shqiptarë në muajin mars. Nga data 17, deri më 19 mars 2021, në kryeqytet, në mjediset e organizmit që qeveris futbollin në vend do të zhvillohet kursi i radhës për mjekësinë sportive për përdorimin e “Kinesiology tape” dhe lektorë do të jenë drejtuesi i Departamentit të Mjekësisë Sportive në FSHF, Xhanluka Stesina, dhe koordinatori i Departamentit të Mjekësisë Sportive në FSHF, Ilvi Begolli.
Edhe ky kurs do të jetë i ndarë në dy pjesë, pjesën teorike dhe më pas do të vijojë me pjesën praktike. Në pjesën teorike, do të shpjegohet historia dhe filozofia e “Kinesiology tape”, si edhe principet fiziologjike, karakteristikat, rregullat e aplikimit, provat e prerjes dhe manualiteti i “Kinesiology tape”. Ndërsa pjesa praktike do të përfshijë vënien në praktikë të përdorimit të “Kinesiology tape”, prova praktike në pjesë të ndryshme muskulare dhe në fund do të ketë edhe diskutime.
Kursi do të zhvillohet i ndarë në dy faza kohore. Kursi do të jetë i hapur për fizioterapistët e ekipeve kombëtare (meshkuj, femra), Kategorisë Superiore dhe Kategorive më poshtë, studentët, mjekët, fizioterapistët dhe për të gjithë ata që duan të dinë për aplikimin e “Kinesiology tape”. Në fund të kursit, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë nga FSHF. Për të gjithë personat e interesuar të cilët duan të regjistrohen në këtë kurs, format e komunikimit janë si më poshtë:
E-mail: drejtoria.teknike@fshf.al
Nr. tel: +355 68 404 0033