AlbanianSport.com 06/03/2021 20:55
ASNN – Është mbyllur këtë të premte faza çerekfinale e Kupës së Shqipërisë për femra, me ndeshjen Apolonia-Kinostudio. Ndeshja e zhvilluar në Fier ka përfunduar me rezultatin e thellë 10-2 në favor të fierakeve, të cilat zhvilluan një ndeshje shumë të bukur. Serinë e golave për vajzat e Apolonisë e hapi Armoku, në minutën e katërt të takimit, e cila kalon në epërsi fieraket. Në të 30-ën minutë, L. Gashi dyfishon shifrat për fieraket, me anë të një goli mjaft të bukur.
4 minuta më vonë është sërish Armoku ajo e cila trefishon rezultatin për Apoloninë, duke i çuar shifrat në 3-0. Festa e fierakeve nuk zgjat shumë, teksa është Loçi ajo që shënon dy gola për kryeqyetaset në harkun kohor të katër minutave, duke ngushtuar rezultatin në 3-2. Ndërsa u duk se pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, është E. Gashi ajo e cila shënon për Apoloninë, duke i çuar shifrat në 4-2 në favor të vendaseve dhe me këto shifra mbyllen 45 minutat e para.
Në pjesën e dytë, vajzat e Apolonisë shënojnë edhe 6 herë të tjera, me dy gola që vijnë sërish nga Armoku në minutat 47 dhe 49, duke vulosur kështu një 4-golësh të saj në këtë ndeshje. Amonikaj shënon emrin e saj në këtë fitore, me një dygolësh të shpejtë në minutat 68 dhe 70, ndërsa shënon për fieraket edhe Gjata, në minutën e 74-t, dhe L. Gashi në minutën e 88-të, e cila firmos edhe ajo një dygolësh personal në këtë fitore.
Kjo ndeshje përcaktoi edhe gjysmëfinalisten e katërt të këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë, pasi më parë ishin përcaktuar si të tilla edhe Vllaznia, Tirana AS dhe Tirana. Apolonia do të përballet në gjysmëfinale me ekipin e Tirana AS-së, ndërsa Vllaznia do të ketë përballë ekipin e Tiranës, teksa formula do të vijojë të jetë me një ndeshje të vetme.