AlbanianSport.com 05/03/2021 22:25
ASNN – Emrat që përmenden tanimë rëndom në fakt janë vetëm disa nga emrat e rinj në xhiron e Kombëtares e që u është dhënë mundësia për të treguar se sa vlejnë në Kombëtaren A. Në fakt, janë shumë herë më shumë të rinj të talentuar që militojnë në ekipet Kombëtare të moshave Nën-21-vjeç, Nën-19-vjeç, Nën-17-vjeç, Nën-15-vjeç, etj. Lojtarë kryesisht të rritur jashtë si mbrojtësi Geraldo Bajrami, mesfushorët Armando Dobra e Kristjan Asllani, sulmuesi Emiljano Bullari, të cilët janë aktualisht pjesë e Shpresave të Shqipërisë.
Për të vazhduar më pas edhe me Albion Ademin në Finlandë, vëllezërit Agon dhe Arbnor Muçolli në Danimarkë, Dean Liço që është në pronësi të Lacios, etj. Por ajo që vihet re është se ka edhe shumë lojtarë që janë rritur në klubet shqiptare e që po shkëlqejnë edhe në Kombëtaret e moshave. Mjafton të kujtojmë emra si Ernest Muçin, që u transferua pak ditë më parë nga Tirana për te Legia e Varshavës apo Marsel Ismajlgeci, Jurgen Çelhaka, Indrit Tuci, etj. Në fakt, këto janë frytet e investimeve që janë bërë në sektorin e moshave nga klubet.
Të cilët, me ndihmën e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë ndryshuar strategjitë e tyre dhe po u kushtojnë gjithmonë e më shumë rëndësi evidentimit dhe kultivimit të talenteve të reja. Jo vetëm klubet, por edhe akademitë që janë hapur vitet e fundit po prodhojnë lojtarë mjaft të vlefshëm për futbollin e madh. Me të rinj e që përzgjidhen nga klubet e huaja dhe me talente që rriten në fidanishtet e klubeve e akademive shqiptare, ekipet kombëtare nuk vuajnë aspak për prurje të reja.
Përkundrazi, tashmë mund të ketë probleme luksi për të përzgjedhur më të mirët e më të mirëve, duke vënë në pozitë të vështirë edhe shumë nga trajnerët kuqezi, të cilët nuk mund t’i kënaqin të gjithë. “Mendoj që me këto moshat e vogla jemi bërë një “Francë” e vogël që ka aq shumë lojtarë sa lojtarët e mirë nuk i grumbullon fare, pra nuk është se ato lojtarë që nuk kanë ardhur këtë radhë nuk do të jenë në të ardhmen, – këmbëngul trajneri i Kombëtares kuqezi të Nën-20-vjeçarëve, Albvan Bushi. – Ata mund t’i grumbullojë edhe kombëtarja A, sepse janë lojtarë shumë cilësorë.”
“Dhe këta janë shumë të mirë, pastaj do zgjedhësh më të mirën, ne ku ta gjejmë që nga gjithë të mirët të zgjedhim më të mirën, – vijoi ai. – Është një luks për trajnerin por edhe konkurrenca i bën mirë, sepse e shoh sa herë që kemi konkurrencë në ekip, ata japin gjithmonë më të mirën. Rëndësi ka çfarë jep në fushë. Te Kombëtarja mendoj që duhet të fokusohemi vetëm te kombëtarja, nuk më interesojnë emrat se nga kush klub vijnë apo se kush je”, – përfundoi trajneri i Shpresave kuqezi, Alban Bushi.