AlbanianSport.com 04/03/2021 23:55
ASNN – Atletik i Bilbaos përmbys në shtesë Levanten, fiton 2-1 dhe sfidon Barcelonën. Pasi ka njohur të mërkurën finalisten e saj të parë dhe ajo është Barcelona, e cila është gjithashtu edhe skuadra që e ka fituar më shumë herë këtë trofe, Kupa e Spanjës ka njohur të enjten edhe finalisten e saj të dytë dhe ajo është Atletik e Bilbaos, që, në një përkim interesant, është skuadra e dytë më e suksesshme e kësaj veprimtarie pas katalanëve.
Kjo veprimtari është një tjetër ekskluzivitet i spikatur sportiv i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, që ka sjellë edhe duelet më të bukura të saj dhe të enjten ka ardhur në RTSH Sport dueli midis Levantes dhe Atletik të Bilbaos. Ndeshja e parë, e luajtur në Bilbao ishte mbyllur në barazim 1-1, ndërsa në atë të kthimit janë vendasit që kalojnë të parë në epërsi, në minutën e 17-të. Por miqtë do të barazojnë shifrat 13 minuta më pas, kur do të fitojnë një 11-metërsh që shndërrohet në gol nga Raul Garsia.
Kjo barazi në shifra do të mbetet në fuqi deri në fund të pjesës së parë, por edhe asaj të dytë, duke bërë që gjithçka të shkojë në dy pjesët shtesë nga 15 minuta secila. E para nuk ka sjellë gol, por e dyta po, pasi një devijim i pafat i mbrojtjes vendase i ka dhuruar Atletik të Bilbaos golin në minutën e 112-të. Nuk ka më gola dhe Atletik i Bilbaos mposht Levanten 2-1, dhe siguron kështu vendin në finalen e madhe.