AlbanianSport.com 04/03/2021 23:15
ASNN – Atleti shkodran, vetëm 5 cm larg kufirit që siguronte vendin në 8-shen e që do të garojë për medalje. Është mbyllur që në fazën eliminatore ëndrra e Izmir Smajlajt në Kampionatin Evropian të Sallave të Mbyllura, pasi atleti i kërcimit së gjati nuk ka arritur dot të futet në finale të kësaj disipline të veprimtarisë kontinentale që po mbahet në Torun të Polonisë.
Në fakt, atleti shqiptar, që mbetet sidoqoftë kampioni i vetmi shqiptar i Evropës, erdhi në këtë turne pas disa paraqitjeve të qëndrueshme që kishte bërë pas rikthimit nga një ndërhyrje kirurgjikale. Kjo e pati bërë atë të shprehej optimist për të arritur fazën finale të Evropianit të Polonisë. Por nuk ka rezultuar kështu, teksa 27-vjeçari nuk ka qenë në ditën e tij më të mirë, duke kërcyer fillimisht 7 m e 49 cm në provën e parë.
Ai ka vijuar të përmirësohet me 20 cm në kërcimin e dytë, duke arritur largësinë 7 me e 69 cm, por që ishte në fakt mjaft larg 7 m e 99 cm që ai pati arritur dy herë radhazi brenda pak ditëve në Kampionatin Ballkanik, ku edhe mori medaljen e artë, por edhe në Mitingun e Beogradit, ku gjithashtu i rendit i pari. Atleti kuqezi ka provuar në kërcimin e 3-të, por ka bërë faull, duke u detyruar të mbetej tek 7 m e 69 cm.
Pra, duke u renditur i 9-ti në eliminatore dhe kjo nuk i ka mjaftuar, sepse vetëm 8 të parët janë kualifikuar për më tej, teksa kufiri i kualifikimit ka rezultuar të jetë 7 m e 74 cm, të cilin Smajlaj e ka humbur për vetëm 5 cm. Tanimë garuesi i vetëm i Shqipërinë në këtë Evropian ka mbetur Franko Burraj, i cili do të garojë të premten në baterinë e 5-të eliminatore të garës së 400 m, që nis në ora 10:46