AlbanianSport.com 07.12.2014 19:15
ASNN – “Unë do të mendoja se barazimi do të kishte qenë rezultati më i drejtë, – ka deklaruar trajneri i Veleçikut, Besnik Duli, pas humbjes së pësuar në kryeqytet përballë Besës. – Kemi dominuar të gjithë takimin, kemi luajtur mirë dhe e kemi merituar që ta merrnin një pikë. Besa na ka rrezikuar në mënyrë sporadike. Më duhet të them që është gjynah që këta gjyqtarë të rinj sillen në këtë mënyrë.”
“E kam fjalën për një 11-metërsh të padhënë dhe goli i anuluar për pozicion jashtë, – ka vijuar ai. – Janë po këto gjyqtarë, të cilët një javë më parë në Krujë ndaj Kastriotit ranë pre e presionit të vendësve dhe na kanë ndëshkuar. Sigurisht që futbolli luhet për publikun dhe duke u endur sa në një stadium në tjetrin, sa në një rreth në tjetrin, kjo nuk është gjë normale për ekipin.”
“Federata Shqiptare e Futbollit i sheh skuadrat ca me syrin e njerkës dhe ca të nënës, sepse pranon dhe fusha jashtë standardeve. Kurse me një rrethim 5 metra dhe me një fushë që nuk ka pasur asnjëherë probleme nuk na pranon. Megjithatë e ardhmja është e mirë për këtë skuadër”, – ka përfunduar trajneri i Veleçikut, Besnik Duli, duke folur pas ndeshjes me Besën.