AlbanianSport.com 04/03/2021 20:35
ASNN – Është zbuluar makina e re “Haas”, e mbiquajtur “VF-21”. Drejtuesit e skuadrës amerikane u kanë besuar makinën e tyre, dy pilotëve të rinj, 22-vjeçarëve Mik Shumaker dhe Nikita Mazepin. Drejtori i “Haas”-it ka treguar se makina e 2021 nuk ka ndryshime nga ajo e vitit të kaluar, pasi synojnë t’i bëjnë ato në sezonin e ardhshëm. Do të jetë kështu numri 47 per Mik Shumaker dhe numri 9 për Nikita Mazepin, por mbi të gjitha një ngjyrë tjetër, për makinën e re të Haas.
Nga e zezë në sezonet e fundit, e bardhë, e kuqe dhe blu do të jetë “VF-21”. Të dy pilotët e rinj të skuadrës amerikane, do të drejtojnë “njëvendëshet” e tyre, në testet e para sezonit, në Bahrein, pas 8 ditësh. Nikita ka mbushur 22 vjeç, në 2 mars, ndërsa Miku bëhet 22 vjeç më 22 mars, pra një dyshe pilotësh të rinj, në debutimin e tyre në Botërorin e Formulës 1 të 2021-shit, që vijnë të dy nga Formula 2. Por në fakt, vëmendja e të gjithëve do të jetë e përqendruar te djali i Majkëllit, që në daljet e tij të para.
Por pa harruar konkurrencën që do të kenë të dy pilotët e rinj. Drejtori i përgjithshëm i skuadrës, Gynter Stajner beson te kjo dyshe pilotësh të rinj, teksa thotë: “Do ta përballojmë këtë sezon të Formulës 1, me dy pilotë të rinj dhe me një sponsor të ri. Do të jetë një vit me të papritura. Pilotët tanë janë të rinj, por që kanë të ardhme. Nuk është sekret që “VF-21” nuk ka ndryshime, pasi jemi të përqëndruar në “njëvendëshen” e 2022-shit. E dimë që nuk mund të përballemi me makinat e hierarkisë, por do të provojmë.”