AlbanianSport.com 07.12.2014 18:20
ASNN – Sopoti e mbyll në krye të klasifikimit fazën e parë në Kategorinë e Parë në grupin e Jugut. Dhe kjo ka ndodhur, sepse librazhdasit e kanë fituar ndeshjen e tyre në Peqin përballë Shkumbinit vendës. Ka qenë një ndeshje e fortë dhe me mjaft raste për të dyja palët, por të besuarit e Gentjan Stojkut janë treguar më të saktë, ku golat e Lezit dhe Polisit i kanë dhënë tri pikë me mjaft vlera librazhdasve.
Nga ana tjetër goli i Dervishit ishte shumë pak për një Shkumbin që nuk jemi mësuar ta shohim në këtë gjendje dhe në fundin e renditjes. “Në këtë ndeshje pamë një gjykim tërësisht të njëanshëm dhe ndonëse Shkumbini ishte dukshëm më lart sesa kundërshtari, sërish nuk ia dolëm që të fitojmë, – ka pretenduar trajneri i Shkumbinit, Ilir Gjyla, duke folur pas ndeshjes
“Skuadra jonë ka pasur edhe probleme të brendshme për sa i përket grupit të lojtarëve, megjithatë do të bëjmë të pamundurën për ta kaluar këtë situatë të vështirë në renditje”, – ka përfunduar ai. Ndërkaq, ka qenë një fitore me pasoja të rënda në Peqin për librazhdasit, pasi dhuna pushton pas ndeshjen e djeshme. Në përfundim të takimi janë goditur nga tifozët peqinas trajnerët e Sopotit, Stojku dhe Ceno
Në fakt, Gentjan Stojku nuk u paraqit në konferencën për shtyp, pasi në fund të takimit drejtorit teknik të Sopotit, Nesti Binishtit, i bie të fikët dhe dërgohet në spital. Stojku udhëtoi së bashku me të dhe në këtë mënyrë nuk mund të fliste dot për mediet. Mësohet se gjendja e tij është normalizuar pas dërgimit në spital dhe nuk dihen shkaqet e kësaj gjendjeje të fikëti që pësoi Binishti.