AlbanianSport.com 03/03/2021 21:15
ASNN – Edhe trajneri i Teutës, Edi Martini, ka folur për mediat pas triumfit ndaj Vllaznisë në shtëpi me rezultatin 1-0. Trajneri shkodran i skuadrës durrsake u është përgjigjur edhe fjalëve të homologut të tij në stolin e Vllaznisë, Tomas Brdariç, i cili e akuzoi skuadrën bregdetare për “sjellje teatrale”. “Është mendimi i tij, nuk them asgjë për atë punë, – u përgjigj Martini. – U dogjëm në ndeshjen ndaj Kukësit në minutat e fundit dhe kërkuam me patjetër pikë. Bregu nuk mendoj se simuloi.”
“Mund të ketë pasur vonesa, ishte ndeshje nervoze, por jam i sigurt se të njëjtën gjë do të kishte bërë edhe Vllaznia po të ishte në epërsi, – ka vijuar 46-vjeçari. – Pjesa e parë foli për ne, te qarkullimi i topit nuk jam i kënaqur. Kërkimi i pikëve të bën të dalësh nga vetja. Vllaznia nuk na vuri në vështirësi në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë Vllaznia, luajti mirë, na vuri në vështirës dhe nuk la hapësira mbrapa. Me një barazim apo humbje, Vllaznia do të na nxirrte nga shinat.”
“Ishte një ndeshje e qetë, – ka pohuar shkodrani i stolit të durrsakëve. – Është luftë e fortë. Kush gabon më pak triumfon. S’ka ndeshje të lehta më. Partizani barazoi në Fier. Lufta edhe për fundin e tabelës është shumë e fortë, me përjashtim të Krujës dhe Kukësit, që nuk pretendojnë as për para as për mbrapa. Të gjitha të tjerat pretendojnë dhe lufta është shumë e fortë. Në pjesën e dytë patën 2 raste ku mund të pësonim gol. Vllaznia doli me shumë forca në sulm dhe na vuri në vështirësi.”
“Kishim 2-3 raste që me pasin e fundit mund ta mbyllnim ndeshjen, por, sidoqoftë, jam i kënaqur me 3 pikët, me luftën, karakterin dhe grintën”, – ka përfunduar trajneri i Teutës, Edi Martini.