AlbanianSport.com 03/03/2021 15:55
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-15-vjeçarëve e drejtuar nga trajneri Armand Dama ka mbyllur ditën e mërkurë grumbullimin 3-ditor në Kompleksin “Tropikal” në Durrës. Ky ishte dhe grumbullimi i parë për këtë vit i Nën-15-vjeçarëve, ku trajneri kishte thirrur 25 lojtarë, të cilët janë ripërzgjedhur nga ekipet përfaqësuese rajonale në 8 zonat rajonale.
Në seancat stërvitore trajneri vëzhgoi nga afër të gjithë lojtarët, duke kërkuar të njohë nga afër cilësitë dhe nevojat që kanë për përmirësim. Të mërkurën, në ditën e fundit të grumbullimit, kuqezinjtë e vegjël luajtën një ndeshje miqësore me bashkëmoshatarët e Teutës, që militojnë në Kampionatin Kombëtar të kësaj grupmoshe.
Kjo miqësore testuese përfundoi me fitoren e Teutës me rezultatin 2-0 falë dy penalltive të kthyera në gol. Ekipi zbriti në fushën e lojës me këtë formacion: Jahaj, Laze, Nela, Pepnikaj, Elmazi, Grazhdani, Lushaj, Malaj, Rrapushaj, Rifa e Qosja. Në pjesën e dytë trajneri aktivizoi të gjithë lojtarët që kishte në dispozicon, Zadeja, Xhipali, Dervishi, Billa, Xhafkollari, Arifi, Muca, Haxhiraj, Zaqellari, Nderjaku, Kamenica.
Përjashtim bëri portieri Epaminond Kristidhi i cili pësoi një dëmtim në nxemjen përpara ndeshjes. Kombëtarja e Nën-15-vjeçarëve gjatë këtij viti do të zhvillojë disa grumbullime të tjera për t’i dhënë mundësi trajnerit të shikojë të gjithë elementët vendas, por edhe ato që luajnë jashtë Shqipërie, duke shpresuar që rrethanat e krijuara nga epidemia e virusit korona do t’i japë mundësi që t’i ketë në dispozicon në momentin më të parë të mundshëm.