AlbanianSport.com 03/03/2021 11:55
ASNN – Rikthehet derbi i kryeqytetit në futboll për femra. Tirana-Partizani do të përballen të mërkurën e 3 marsit me njëra-tjetrën, në një sfidë emocionuese, e vlefshme për çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. Partizani vjen në këtë ndeshje pas një fitoreje të thellë kundër shkodraneve të Akademia AAS, ku të kuqet treguan formë mjaft të mirë.
Kjo është hera e parë në histori që këto dy ekipe do të luajnë në një veprimtari të tillë, ndërsa hera e tretë që do të përballen mes tyre. Dy ekipet e kryeqytetit, deri tani kanë zhvilluar dy ndeshje mes njëra-tjetrës, një prej tyre në kuadër të Ditës Kombëtare të Depistimit për Kancerin e Gjirit, miqësore e organizuar nga Federata Shqiptare e futbollit, që u fitua nga ekipi i Tiranës.
Edhe ndeshja e dytë e zhvilluar mes këtyre dy ekipeve, e vlefshme për kampionatin e Kategorisë Superiore të femrave u fitua nga Tirana e vajzave, me rezultatin 4-1. Në këtë ndeshje pritet të përcaktohet edhe gjysmëfinalistja e tretë, pas Vllaznisë dhe Tirana AS. Fituesja e këtij çifti do të përballet në gjysëmfinale ndaj fitueseve në fuqi të këtij trofeu, Vllaznisë, në një ndeshje të vetme në Shkodër.