AlbanianSport.com 02/03/2021 23:55
ASNN – Portieri i Vllaznisë, Bojan Zogoviç, ishte i pranishëm ditën e martë në konferencën për shtyp së bashku me Drejtorin Sportiv, Matko Djarmati, teksa folën në prag të sfidës ndaj Teutës, duke garantuar se atmosfera në skuadër është e mirë dhe do synohet rezultat pozitiv. Lidhur me goli i pësuar me Tiranën, gardiani i portës kuqeblu ka deklaruar: “Kam bërë analizën e vetes edhe me video. Te goli kam reaguar gabim, më vjen keq, por kështu është jeta vazhdojmë para.”
“Debati me Da Silvën? Nuk janë të çuditshme këto raste, kur koka është e nxehtë, – ka zbuluar malazezi. – Kemi pasur një debat gjatë ndeshjes, më pas kemi biseduar në dhomat e zhveshjes dhe kemi sqaruar gjithçka. Kushdo dëshiron të fitojë ndeshjen, edhe unë edhe Da Silva. Nuk ishte diçka që ndodhi jashtë pjesës së lojës së futbollit.”
Zogoviçi beson sidoqoftë tek fryma pozitive e grupit, përtej tensionit, teksa thotë: “Unë nuk shoh probleme në atmosferën e ekipit. Është shumë e mirë. Ndeshja ndaj Tiranës e ka ulur disi entuziazmin. Kemi analizuar bashkë me stafin teknik ndeshjen, kemi folur me njëri-tjetrin dhe e dimë ku kemi gabuar. Do të provojmë të marrim një rezultat pozitiv në ndeshjen e radhës e do të rikthejmë të njëjtën atmosferë që kishim.”
“Pse jo të mos jetë ndeshja ndaj Teutës, një kthesë. Kam luajtur edhe në kampionate të tjera, janë shumë të ngjashme me kampionatin shqiptar, por këtu diferencat janë shumë të vogla mes ekipeve që dalin kampion dhe atyre që bien. Jemi përgatitur për Teutën, ndaj tyre kemi një ecuri të mirë dhe kjo ndeshje mund të shërbejë si kthesë për të dalë aty ku ishim më parë”, – ka përfunduar Zogoviçi.