AlbanianSport.com 02/03/2021 17:15
ASNN – Pas një barazimi karakteri në fundjavë në Durrës, përballë Teutës vendase, Kukësi sfidon të mërkurën skuadrën e Laçit, që nga ana e saj, mori gjithashtu një barazim karakteri në “Elbasan Arena” përballë Partizanit. Para kësaj sfide, për mediat ka folur trajneri i Kukësit, Mirel Josa, i cili ka folur për përballjen e radhës. “E vlerësojmë maksimalisht Laçin për atë që ka bërë deri më tani”, – ka thënë ai fillimisht.
“Skuadra jonë dha njëfarë shkëndijë në Durrës, pavarsisht se nuk fituam, – ka vijuar kryeqytetasi i stolit të verilindorëve. – U munduam të luajmë futboll të mirë si në sulm dhe në mbrojtje. Mungon Ibraimi, që është pezulluar me kartonë, pjesa tjetër është e gatshme. Finalizimi? Nuk varet vetëm nga sulmuesit, por edhe nga mesfushorët, duhet të jemi më këmbëngulës në zonën e kundërshtarit.”
“Laçi nuk luan ashpër, por luan fort futboll, – ka theksuar 57-vjeçari. – Nga skuadra ime dua që të luajë mirë edhe kur nuk e ka topin në dispozicion. Kush arrin më shpejt te topi, ka më shumë mundësi të fitojë ndeshjen. Vendi i tretë? Do mundohemi ndeshje pas ndeshje. Skuadra ka kapacitet, do vetëm ndryshim mentaliteti. Edhe në Durrës nuk shkuam për barazim.”
“Në 10 minutat e fundit të dy skuadrat mund të fitonin, nuk ndodhi. Edhe në këtë ndeshje barazimi ndihmon skuadrat e tjera. Për sa kam ardhur unë Ibraimi nuk ka luajtur numër 10, pavarësisht se e ka në shpinë. Ka luajtur sulmues dhe është shprehur mirë aty. Për mua, çdo lojtar që e ka topin në zotërim, është organizator i skuadrës”, – ka përfunduar trajneri i Kukësit, Mirel Josa.