AlbanianSport.com 02/03/2021 15:15
ASNN – Botërori i Formulës 1 është vetëm 4 javë larg se skuadrat pjesëmarrëse kanë nisur të prezantojnë edhe makinat e tyre të reja. Të martën ka qenë radha e skuadrës gjermane dhe kampiones në fuqi të botës, “Mercedes”-it, e cila ka zbuluar makinën e re me të cilën do të garojnë Ljuis Hemiltonin dhe Valteri Botas në Botërorin 2021 të Formula 1, që do të nisë në 28 mars me Çmimin e Madh të Bahreinit.
Edhe këtë vit do të quhet “Shigjeta e Zezë”, e dizenjuar që në 2020, në mbështetje të luftës së kampionit të botës, kundër diskriminimit racial. Por nuk mungojnë detaje të tradicionales së argjendtë, të Shtëpisë nga Shtutgarti. “W12” do të zbresë në pistë në testet para kampionatit, që mbahen nga data 12, deri më 14 mars 2021 në Bahrein, por më parë, mund të bëhen edhe disa xhiro si gjithmonë në Silverstoun.
Zyrtarisht do të quhet “Mercedes-AMG F1 W12 E Performance”, është derivat i makinës “W11” të 2020, që ka marrë tashmë shumë tituj. Pamja e re e kësaj makine, karakterizohet estetikisht, me kofanon mbi motor që sfumohet në mënyrë progresive, nga e zezë në të argjendtë, në të cilën shquhet ngjyra e kuqe e sponsorit dhe numrat e garave po në të kuqe, të kampionit në fuqi të botës.
Të dy pilotët e “Mercedes”-it, Hemiltoni dhe Botasi kanë shprehur emocionet e tyre. Ndërsa Toto Volfi, tepër i sigurt, ka treguar synimet që do të kenë edhe në 2021-shin, teksa thotë: “Nuk ka ndodhur asnjëherë të fitohen 7 tituj botërorë radhazi, e dikush mund të thotë që tek “Mercedes”-i u mësuan tashmë me fitore. Por ju siguroj se te nuk do të ndodhë kjo. Ne, pa u mërzitur, do të synojmë titullin e 8-të botëror.”