AlbanianSport.com 06.12.2014 16:05
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luajtur të dielën pasdreke dy ndeshjet e para të javës së saj të 15-të dhe Laçi e Flamurtari janë ndarë në paqe, pas barazimit 1-1, ndërsa Vllaznia fundos Elbasanin, duke e mundur në shtëpi me rezultatin 4-1.Sfida mes Laçit dhe Flamurtarit nuk ka nxjerrë asnjë fitues, duke bërë që këto dy skuadra të ruajnë vendet e tyre në tabelën e renditjes.
Kurbinasit e drejtuar nga Armando Cungu shënuan të parët me Dokun, ndërkohë që vlonjatët u kundërpërgjigjën në pjesën e dytë me një supergol të Telushit. Në ndeshjen tjetër të kësaj jave, Vllaznia shkatërroi 4-1 Elbasanin, duke zbehur akoma më shumë shpresat e pakta të elbasanasve për një mrekulli që mund t’i mbajë ata edhe sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore.
Shtubina hapi siparin e golave për shkodranët në minutën e 16-të, ndërkohë që në fillimin e të dytës Soza trefishoi rezultatin me një dygolësh personal, ndërsa shkurtoi diferencën për Elbasanin Agboji. Në fund ishte talenti shkodran, Kalaja, ai që vulosi rezultatin e ndeshjes dhe fitoren e tretë radhazi të Vllaznisë, e cila i largohet përkohësisht zonës së ftohtë të renditjes.
Kategoria Superiore i ka luajtur të shtunën pasdreke dy ndeshjet e para të javës së saj të 15-të dhe Skënderbeu ka mundur Teutën 3-2, ndërsa Kukësi është ndalur në fushën e vet me rrjeta të paprekura nga Apolonia. Kampionët në fuqi kanë vuajtur në shtëpi përballë durrsakëve, edhe për faktin që kanë luajtur për më tepër se një orë lojë me 10 lojtarë, pas ndëshkimit me karton të kuq të Vangjelit.
Sidoqoftë, Skënderbeu ka kryesuar deri në 3-0 dhe, ndonëse Teuta ka shkurtuar me dy gola në fund, nuk ka arritur t’u mohojë fitoren korçarëve. Në takimin tjetër, përkundër gjasave, Apolonia ka dëshmuar se nuk e ka ndërmend të dorëzohet lehtë, duke i marrë një pikë të çmuar Kukësit në shtëpi dhe duke i frenuar verilindorët në marshimin e tyre drejt kreut.
Kjo javë mbyllet të hënën me derbin midis Partizanit dhe Tiranës, që do të luhet duke nisur nga ora 18:00 dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Skënderbeu kryeson hëpërhë renditjen, me 30 pikë, po aq sa Partizani, që ka luajtur një ndeshje më pak. Pas tyre renditen Tirana dhe Kukësi, me nga 29 pikë secila, por me bardheblutë që kanë luajtur një ndeshje më pak.
Kategoria Superiore
Java e 15-të
Të shtunën:
Skënderbeu – Teuta 3-2
Shënues: Shehi 43’(11-m.), Alikaj 61’, Olajinka 67’ / Hyseni 79’, Dita 83’
Kukësi – Apolonia 0-0
Të dielën:
Elbasani – Vllaznia 1-4
Shënues: Agboji 77’ / Shtubina 16’, Soza 53’, 64’, Kalaja 80’
Laçi – Flamurtari 1-1
Shënues: Doku 16’ / Telushi 78’
Të hënën:
Partizani – Tirana (18:00)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Skënderbeu 15 9 3 3 24-7 30
- Partizani 14 9 3 2 13-5 30
- Tirana 14 8 5 1 18-7 29
- Kukësi 15 9 2 4 16-10 29
- Laçi 15 5 6 4 16-11 21
- Flamurtari 15 4 7 4 13-10 19
- Vllaznia 15 6 2 7 14-16 17
- Teuta 15 4 1 10 13-19 13
- Apolonia 15 2 3 10 4-26 9
- Elbasani 15 2 0 14 9-29 6