AlbanianSport.com 01/03/2021 23:10
ASNN – “adidas” dhe “Parley” bashkohen për të krijuar lëvizjen “Parley for the oceans”. Kompania e mirënjohur ndërkombëtare e veshjeve dhe pajimeve sportive, “adidas” është përfshirë prej shumë vitesh në mënyrë aktive në mbrojtjen e mjedisit. Fusha kryesore e kontributit të markës ka qenë në luftën kundër ndotjes plastike. Një nga fushatat e saj më të mëdha konsiston në eliminimin e sa më shumë materialeve jo të riciklueshme nga zinxhiri i prodhimit.
Shumica e plastikës që hedhim përfundon në oqeane, për t’u përhapur më pas në çdo cep të globit. Plastikat hyjnë në zinxhirin ushqimor, vrasin jetën detare, shkatërrojnë mjediset dhe madje ndikojnë në klimën globale. “adidas” po bashkëpunon me “Parley” në luftën e përbashkët kundër ndotjes plastike që po pushton oqeanet tona. Projekti ka si qëllim mbledhjen e plehrave plastike nga plazhet e largëta dhe komunitetet bregdetare si lëndë e parë.
Më pas, përdorimin e tyre për prodhimin e një game të gjerë veshjesh sportive. Një nga produktet më të suksesshme nga ky bashkëpunim është padyshim versioni ekologjik i atletes “Ultraboost”. Çdo pjesë e atletes është e përbërë nga 11 shishe plastike të mbledhura nga oqeani. Mbetjet përpunohen në fije, të cilat me pas shndërrohen në një pjesë të sipërme “Primeknit”. Përveç një mjedisi të pastër, rezultati i këtij proçesi është gjithashtu një këpucë e shkëlqyeshme “premium”.
Një këpucë e dizejnuar të dyfishojë rendimentin e sportistëve. “Nëpërmjet bashkëpunimit tonë me Parley, ne duam të frymëzojmë dhe mobilizojmë një gjeneratë të tërë për të ndryshuar të ardhmen e planetit”, – deklaron kompania e njohur. Detaje në dukje të vogla por që në realitet kanë një impakt shumë të madh në planetin tonë. Së bashku, përmes sportit dhe dashurisë për natyrën, ne kemi fuqinë të bëjmë ndryshime të paimagjinueshme.