AlbanianSport.com 01/03/2021 17:55
ASNN – Turneu më i ri, i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), Kampionati Kombëtar i grupmoshës Nën-15-vjeç për femra ka nisur të tërheqë vëmendje dhe interes nga vajzat e reja në të gjithë vendin. Prej më shumë se një muaji, ky turne ka nisur të luhet në të gjithë Shqipërinë, teksa të dielën në Elbasan u luajtën edhe dy ndeshjet e Grupit B, me Lushnjën që mundi Elbasanin 2-1, ndërsa Apolonia fitoi me poker golash ndaj Pogradecit.
Këto ndeshje u ndoqën edhe nga Përgjegjësi i Sektorit të Futbollit të Femrave në FSHF, Florian Riza, i cili tha në një prononcim për faqen zyrtare në Internet të organizmi që qeveris futbollin në vend, se ky kampionat ka shumë përfitime për vajzat që i janë bashkuar sportit më popullor në botë. “Federata Shqiptare e Futbollit është gjithmonë e gatshme për promovimin e futbollit të femrave e të vajzave”, – ka deklaruar ai.
“Duke i stimuluar ato si materialisht, financiarisht dhe moralisht për të qenë futbollistet e ardhshme të Elbasanit dhe të Lushnjes, – ka vijuar Riza. – Mendojmë se ky është një kampionat që i bën vajzat të shëndetshme, u jep atyre të gjitha benefitet e duhura që ofron futbolli dhe shpresojmë që e ardhmja të jetë e ndritur për to.” Ndërsa, trajneri i Elbasanit të Nën-15-vjeçareve, Ilir Hoxha, vlerësoi nismën e FSHF-së dhe është i bindur se pjesëmarrja e vajzave të turne të tillë është mjaft e vlefshme.
“Falënderoj jashtë mase FSHF-në që ka organizuar këtë kampionat me pjesëmarrje shumë të madhe për femrat, sepse është shumë e rëndësishme që femrat të ushtrojnë sportin, – ka thënë ai. – Sa i përket pjesëmarrjes, kemi pasur vështirësi, por themi që ia kemi arritur qëllimit me pjesëmarrjen tonë. Presim rezultate dhe që ndikimi i sportit në shoqëri të jetë më i mirë. U bëj apel edhe prindërve që t’i nxisin vajzat të marrin pjesë në futboll.”
Në të njëjtë linjë është edhe trajneri i Nën-15-vjeçareve të Lushnjës, Hekuran Korreshi, i cili falënderon të gjithë ata që po angazhohen për organizimin e këtij kampionati. “Po mundohemi të organizojmë me anë të mundësisë që na ka dhënë Federata e Futbollit një turne shumë të veçantë siç është Kampionati Kombëtar të Nën-15-vjeçareve për femra, – tha ai. – Falënderoj Elbasanin, Apoloninë, Pogradecin dhe të gjitha klubet që angazhohen për këtë kampionat.”
Ndërkaq, kapitenia e Nën-15-vjeçareve të Lushnjës, Anversa Muça, u bëri thirrje të gjitha vajzave moshatare që t’i bashkohen futbollit: “Jam e lumtur që jam pjesë e ekipit të Lushnjës dhe u bëj thirrje të gjitha vajzave që të na bashkohen, të argëtohen dhe pse të mos bëhet kështu dikush në jetë”, – tha ajo, kurse homologia e saj, kapitenia e Nën-15-vjeçareve të Elbasanit, Xhoi Hasa, shpreson që vajzat ta përfaqësojnë sa më mirë emrin e qytetit të tyre.
“Të gjithë vajzat e Elbasanit vijnë në ekipin tonë të marrin pjesë, sepse përfaqësojmë qytetin tonë dhe mund ta çojmë ekipin e këtij qytetit në një nivel më të lartë”, – tha Hasa.
Kampionati Kombëtar i Futbollit për femra
për grupmoshën e Nën-15-vjeçareve
Grupi B
Java e dytë:
Elbasani – Lushnja 1-2
Apolonia – Pogradeci 4-0