AlbanianSport.com 28/02/2021 23:10
ASNN – “Sindal” – “Endju Dekor” është finalja e madhe e “FSHF Cup”, turneut të futbollit amator 9×9, që zhvillohet për herë të parë këtë sezon. Veprimtari kjo që organizohet nga Federata e Futbollit me qëllim masivizimin e futbollit amator, i cili është jetik për një lëvizje futbollistike të shëndetshme, sidomos në një periudhë të vështirë si kjo e epidemisë së virusit korona.
Ditën e shtunë është luajtur ndeshja e parë gjysëmfinale, midis “Sindal”-it dhe “ATS”-së, ndeshje e cila në kohën e rregullt prej 60 minutash përfundoi në barazim 2-2, duke dhuruar gola dhe spektakël. Skuadrat iu drejtuan kështu goditjeve nga pika e 11-metërshave, aty ku ekipi i “Sindal”-it që u tregua më e saktë dhe arriti të sigurojë finalen e madhe.
Mbrëmjen e së dielës u luajt gjysëmfinalja e dytë, ku shorti kishte vendosur përballë “Elso” me “Endju Dekor”. Ndeshja u mbyll me fitoren 3-1 për “Endju Dekor”, që gjeti menjëherë epërsinë. “Elso” reagoi dhe gjeti barazimin e përkohshëm 1-1. “Endju Dekor” nuk heq dorë nga loja sulmuese dhe realizon dhe dy herë të tjera për të mbyllur llogaritë dhe arritur finalen.
Ndeshja finale ndërmjet “Sindal”-it dhe “Endju Dekor”-it do të zhvillohet javën e ardhshme në Kompleksin “Football Republic” në periferi të kryeqytetit, ku janë luajtur dhe të gjitha ndeshjet e kësaj veprimtarie.