AlbanianSport.com 28/02/2021 20:10
ASNN – Ekipi Kombëtar i Nën-15-vjeçarëve do të nisë të hënën një grumbullim 3-ditor ku do të jenë të ftuar lojtarët e spikatur të vitlindjes 2007, të cilët aktivizohen me klubet shqiptare. Nën urdhrat e trajnerit kuqezi, Armand Dama, do të vihen 23 lojtarë me skuadrën që do të grumbullohet në kompleksin “Tropikal” në Durrës.
Bëhet fjalë për futbollistë të rinj, që janë evidentuar në vazhdimësi nga specialistët e ekipeve kombëtare në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) përmes përzgjedhjeve që zhvillohen rregullisht edhe nga zyrat rajonale të organizmit që qeveris futbollin në vend.
Lojtarët do t’u nënshtrohen testeve taktike dhe fizike, në mënyrë që stafi teknik të krijojë një ide të qartë për gjendjen e secilit. Ky do të jetë edhe grumbullimi i parë i ekipit kombëtar të Nën-15-vjeçarëve për këtë vit me trajnerin Armand Dama, i cili u konfirmua në këtë post pak javë më parë.
Në kuadër të këtij grumbullimi, të mërkurën, më datë 3 mars 2021, kuqezinjtë e vegjël do të zhvillojnë edhe një ndeshje miqësore ndaj bashkëmoshatarëve të ekipit të Nën-15-vjeçarëve të Teutës, takim që do të luhet duke nisur nga ora 11:00, në fushën e kompleksit “Tropikal” në Durrës.