AlbanianSport.com 28/02/2021 17:10
ASNN – Armando Broja ka shkëlqyer mbrëmjen e djeshme me skuadrën e tij në ndeshjen kundër VVV Venlosë, të fituar në shtëpi nga Vitese e Arnhemit. Futbollisti i Kombëtares shqiptare dhe i skuadrës holandez ka qëlluar në shenjë edhe këtë javë, duke shënuar një gol për skuadrën e tijm por edhe duke dhënë një pasim për një tjetër gol.
Në minutën e 3-të të takimit, sulmuesi kuqezi ndihmoi shokun e skuadrës të shënojë golin e parë dhe të epërsië për Vitesen, pas një pasimi brenda zonës. Ndërsa në minutën e 82-të, Brojës i dhurohet një top brenda zonës nga mesfushori Matus Bero, pasim të cilin talenti kuqezi e shfrytëzon mjaft mirë duke shënuar golin e 4-t dhe duke vulosur fitoren bindëse për Vitesen.
Ky ishte goli i 9-të i sulmuesit të ri kuqezi në skuadrën holandeze të Viteses. Ai e nisi ndeshjen ndaj Venlosë si titullar, duke luajtur deri në minutën e 85-të, kur edhe u zëvendësua. Broja po paraqitet mjaft mirë me skuadrën e Viteses, teksa kjo është java e dytë radhazi që ai shënon për skuadrën, e cila renditet e 4-ta në “Eredivisie”, me 45 pikë të marra në 24 javë, duke qenë në valle për një vend në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm.