AlbanianSport.com 27/02/2021 18:10
ASNN – Është luajtur ditën e shtunën ndeshja mes ekipeve Tirana AS dhe Teutës, e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës e Shqipërisë në futboll për femra, takim që përfundoi me fitoren 6-0 kryeqytetaseve. Teuta vinte në këtë ndeshje pas një fitoreje të thellë që mori në Durrës ndaj Skënderbeut, por nuk ia doli të kalonte në gjysmëfinale, me vajzat e Tirana AS që u treguan më të forta dhe arritën të shënonin 6 herë në portën e durrsakeve.
Ndeshja nisi kërkuese nga të dyja palët, me raste që nuk munguan dhe goli i parë erdhi shumë shpejt me Estelë Gufram, që shënoi në minutën e 5-të për Tirana AS, duke i kaluar kryeqytetaset në epërsi. Tri minuta më vonë, Troka shënon golin e dytë për Tirana AS, duke i çuar në shifrat 2-0. Pavarsisht rasteve që patën të dyja skuadrat, pjesa e parë mbyllet me këtë rezultat. Pjesa e dytë nisi e vrullshme, me Teutën që kërkoi disa herë të ngushtonte rezultatin por pa fat.
Në minutën e 69-të, Mei shënon golin e 3-të për Tirana AS, ndërsa dy minuta më vonë, Koldashi shënon të katërtin, duke thelluar rezultatin me shifrat 4-0. Kotaria shënon golin e 5-të në minutën e 75-të, ndërsa Koldashi, nga pika e bardhë e 11-metërshit, shënon golin e dytë personal dhe të fundit për tiranaset, duke vulosur rezultatin me shifrat 6-0. Tirana AS bëhet kështu gjysmëfinalistja e dytë e këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë, pas Vllaznisë që mundi javën e kaluar Juban Danjën në Shkodër.