AlbanianSport.com 26/02/2021 15:40
ASNN – Tirana AS-Teuta është çerekfinalja e dytë, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë për femra. Ndeshja që do të luhet ditën e shtunë në kryeqytet do të përcaktojë gjysmëfinalisten e dytë, duke qenë se ndeshjet zhvillohen me eliminim direkt në fushën e skuadrës më të fortë në renditje. Teuta vjen në këtë çerekfinale pas fitores në Durrës kundër korçareve të Skënderbeut në turin e mëparshëm, ndërsa Tirana AS është kualifikuar direkt në çerekfinale, duke qenë se ishte e pozicionuar në katër vendet e para në kampionat.
Dy ndeshjet e tjera të vlefshme për këtë fazë do të luhen në datat 3 dhe 4 mars 2021, për shkak të grumbullimit të Kombëtares shqiptare të femrave në Ulqin, ku janë ftuar 21 futbolliste të cilat janë pjesë e skuadrave të kampionatit shqiptar. Siç dihet, Partizani, pas fitores me Akademinë AAS do të ketë përballë Tiranën, në derbin e dytë zyrtar mes këtyre dy skuadrave në historinë e futbollit shqiptar të femrave, ndeshje që do të zhvillohet në datën 3 mars 2021 në kryeqytet. Një ditë më pas, më 4 mars, Apolonia do të presë Kinostudion në Fier.
Ndeshje kjo që do të përcaktojë edhe gjysmëfinalisten e katërt të këtij edicioni të 12-të të Kupës së Shqipërisë. Gjysmëfinalistja e parë e këtij edicioni njihet tashmp dhe ajo është Vllaznia, që mundi javën e shkuar në Shkodër Juban Danjën, me rezultat të thellë . Vllaznia do të presë në gjysmëfinale në shtëpi fituesen e çiftit Tirana-Partizani, ndërkohë që gjysmëfinalja tjetër do të përcaktohet nga fitueset e çifteve çerekfinaliste Apolonia-Kinostuio dhe Tirana AS-Teuta, ndeshje e cila do të luhet në fushën e çiftit të parë.